Shpërthimi i një makine Tesla Cybertruck në hyrje të hotelit Trump në Las Vegas mëngjesin e kësaj të mërkure po hetohet si një akt i mundshëm terrorist nga FBI. Në një konferencë shtypi, sherifi i Las Vegas, Kevin McMahill tha se përfshirja e automjetit nga flakët u raportua nga hoteli në 8:40 të mëngjesit. Ekipet e policisë mbërritën menjëherë, por gjetën makinën Tesla të vitit 2024 të përfshirë nga flakët.

“Kishte edhe një individ të vdekur brenda makinës dhe nuk dihet nëse është mashkull apo femër në këtë moment” – tha McMahill. 7 persona të tjerë pësuan lëndime “të lehta” si rezultat i shpërthimit. Jeremy Schwartz, një agjent special i FBI-së në Las Vegas konfirmoi se ekipi i tij është i përfshirë në hetime.

Në një postim në X, Elon Musk shkroi se edhe kompania Tesla që ai zotëron ka filluar gjithashtu hetimet e saj. “I gjithë ekipi i lartë i Tesla po heton këtë çështje tani. Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë” – shkroi ai. Eric Trump, nënkryetar ekzekutiv i organizatës Trump, gjithashtu shkroi në X se “siguria dhe mirëqenia e miqve dhe stafit mbeten prioriteti kryesor”.

“Ne pamë një re të madhe tymi… nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Pastaj pashë në rresht ndoshta të paktën tre ambulanca dhe një tufë makinash policie” – tha një dëshmitare. McMahill u tha gazetarëve se hetimi për incidentin është duke u rakorduar edhe me hetimet për sulmin me kamion natën e Vitit të Ri në New Orleans që vrau të paktën 10 njerëz dhe plagosi dhjetëra të tjerë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts