Gazeta britanike “The Telegraph” shkruan se Mbretëria e Bashkuar po paguan Shqipërinë me qëllim rikthimin e 200 të dënuarve më të rrezikshëm. Në shkrimin që lapsi.al sjell të plotë më poshtë flitet edhe për financimin nga britanikët të rinovimit të burgjeve shqiptare.
Britania ka ndihmuar në hapjen e një burgu të ri shumëmilionësh në Shqipëri. Oficerët e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar kanë punuar me homologët e tyre shqiptarë për të realizuar burgun e parë të hapur në vend pas një marrëveshjeje për transferimin e të burgosurve prej 4 milionë funtesh në vit me shtetin ballkanik.
Britania po i paguan Shqipërisë paratë për të rikthyer 200 të burgosurit e saj më të rrezikshëm, si dhe po financon trajnimin e oficerëve të burgjeve, rinovimin e burgjeve, sigurinë shtesë, punëtorët dhe pajisjet e rehabilitimit. Mbretëria e Bashkuar ka paguar gjithashtu për një flotë prej 1.5 milionë £ për 15 makina elektrike dhe 22 mikrobusë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit të burgjeve në Shqipëri.

Kjo është pjesë e përpjekjeve të qeverisë britanike për të trajtuar krizën e mbipopullimit që bëri që burgjet në Angli dhe Uells thuajse të mbeteshin pa hapësira të lira këtë verë. Janë rreth 1 270 shqiptarë që mbahen në burgje në Angli dhe Uells, numri më i madh nga çdo kombësi dhe që përbën gati 1 në 7 nga 10 500 të burgosur të huaj.
10 500 të burgosurit e huaj po zënë 1 në 9 vende në burgje me një kosto prej 52 000 £ për person ose gati 550 milion £. Kjo është arsyeja pse ministrat britanikë po përpiqen të gjejnë mënyra për t’i riatdhesuar në vendet e tyre.
Burgu i ri i hapur shqiptar, i quajtur “Ali Demi” dhe me qendër në kryeqytetin Tiranë, do të ketë në shënjestër shkelës që janë në 6 muajt e fundit të dënimit të tyre me burgim. Burgu do të imitojë institucione të ngjashme në Mbretërinë e Bashkuar.
Një ekip i menaxherëve të shërbimit të të burgosurve në Mbretërinë e Bashkuar dhe ekspertëve teknikë kanë dhënë këshillua mbi planifikimin dhe regjimin për burgun e ri, ku të burgosurit do të kenë dhomat e tyre të vendosura në një rrugë të stilit me tarraca, me liri për të hyrë dhe për të dalë.

Fillimisht ishte një burg i grave me një regjim “më të butë” i krijuar për t’i rehabilituar dhe riintegruar ato në shoqërinë shqiptare. Tani ai do të ketë hapësirë për 25 të burgosur meshkuj. Klevis Qose, drejtori i përgjithshëm i shërbimit të burgjeve shqiptare, tha: “Ne jemi gati të popullojmë burgun e hapur të Ali Demit, burgun më të ri në Shqipëri. Projekti i financuar nga qeveria shqiptare dhe me mbështetjen e ambasadës britanike në Tiranë për rritjen dhe forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, pritet të përgatisë shkelësit për t’iu përshtatur sa më natyrshëm për jetën civile”.
Burgu i hapur mund të përdoret nga të dënuarit shqiptarë më rëndë të transferuar nga Mbretëria e Bashkuar para fundit të dënimit. Sipas marrëveshjes dyvjeçare, kriminelët – të gjithë që vuajnë dënime me më shumë se 4 vjet – do të përfundojnë burgimin në Shqipëri me një kosto prej 32 £ në ditë, krahasuar me 109 £ në ditë në Mbretërinë e Bashkuar.
Tek 200 të burgosurit përfshihen vrasës, përdhunues dhe tregtarë droge, të cilët do të transferohen në grupe “me shumicë” për t’u përpunuar në sistemin e burgjeve shqiptare, ku do të vuajnë të njëjtën kohë dënimi siç do të kishin në Mbretërinë e Bashkuar.
Do të ketë një grup të përbashkët mbikëqyrës për të parandaluar keqtrajtimin e të burgosurve ndërsa qeveria shqiptare që do të përgatisë një raport vjetor për të burgosurit dhe kushtet e tyre. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ruajë të drejtën për të kryer kontrolle fizike. Çdo vend ka të drejtë të përfundojë marrëveshjen me një njoftim me shkrim dy muaj përpara.
Në mesin e 200 të transferuarve janë 17 të burgosur të përjetshëm, përfshirë Koci Selamaj, vrasësi i mësueses Sabina Nessa, i cili u burgos për të paktën 36 vjet për rrahjen dhe mbytjen e saj për vdekje në një park në juglindje të Londrës.
Ai ka vuajtur deri më tani vetëm 2 vjet, që do të thotë që Britania e Madhe do t’i paguajë shqiptarët 400 000 £ për ta burgosur atë për 34 vitet e mbetura të dënimit të tij. Do të kushtonte më shumë se 2 milionë funte nëse ai do të qëndronte në Britaninë e Madhe. ©Marrë nga The Telegraph, përshtati në shqip, LAPSI.al