Opinioni publik u trondit pas vrasjes me thikë të një 14-vjeçari dhe plagosjes së një tjetri nga një bashkëmoshatar i tyre, i cili tashmë është arrestuar. Ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.
Pas ngjarjes, në rrjetet sociale janë shpërndarë disa foto të autorit të dyshuar, i cili duket se pozon “me krenari” pas krimit, teksa shfaqet i ulur në sediljen e pasme të një automjeti. Në foto ai tregon edhe dorën e tij të gjakosur e të fashuar, pasi është lënduar gjatë sulmit. Po ashtu, pak ditë para ngjarjes ai kishte publikuar në Snapchat foto të një thike me përmasa të mëdha, me të cilën dyshohet se ai ka kryer aktin e rëndë.
Megjithatë, një tjetër video shqetësuese po qarkullon në rrjetet sociale, ku dy të mitur flasin për ngjarjen në TikTok. Nga komunikimi mes tyre kuptohet që njëri prej tyre është kushëri i autorit të dyshuar të vrasjes ndërsa fëmija tjetër thotë se njihej me të virtualisht, pasi më parë kanë qenë në një grup virtual.
Gjatë komunikimit ata shprehen se “kushdo që i shan do ta bëjnë shembull”. Ata jo vetëm nuk dënojnë aktin e rëndë, por “duartrokasin” autorin e vrasjes. Nuk dihet nëse pamjet e kësaj videoje janë duke u analizuar nga autoritetet me qëllim parandalimin e një tjetër ngjarjeje të rëndë.