Nga Kleo Bello – Shqipëria, një vend me histori të pasur dhe njerëz që shquheshin për mikëpritje, sot është një arenë ku korrupsioni, krimi dhe dhuna kanë marrë përmasa shqetësuese. Në vitet e fundit, ngjarjet tragjike që dikur dukeshin si skena të largëta të një filmi kriminal, janë bërë pjesë e realitetit tonë të përditshëm.
Korrupsioni në politikë: Një plagë e hapur
Qeveritar të arrestuar, politikanë që njihen më shumë për pasuritë e tyre të dyshimta sesa për reformat e premtuara, dhe një sistem drejtësie që shpesh u shërben vetëm atyre.
Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies ka bërë që qytetarët të ndihen gjithnjë e më të braktisur, ndërsa qeveritarët janë në një konkurs mes tyre për titullin e më të korruptuarit.
Populli mbetet spektator i një drame ku aktorët janë të njëjtë, dhe fundi është gjithmonë i po i njëjtë– korrupsioni fiton.
Krimi i organizuar: Në gjurmët e mafias
Shqipëria është kthyer në një strehë të sigurt për krimin e organizuar, ku atentatet mafioze janë bërë një pjesë e përditshmërisë. Sheshet e qyteteve janë kthyer në skena të vrasjeve të përgjakshme.
Nga pazaret e drogës që lidhen me kartelat ndërkombëtare, deri te larja e hesapeve mes bandave lokale, situata është e frikshme.
E megjithatë, heshtja mbetet e vetmja përgjigje nga ata që duhet të garantojnë sigurinë publike. Politikanë me lidhje të dyshimta me krimin e organizuar dhe një sistem që shpesh i mbron në vend që t’i ndëshkojë, kanë kthyer Shqipërinë në një version ballkanik të Meksikës.
Adoleshentët që zgjidhin konfliktet me dhunë
Vrasjet me thikë mes të rinjve janë bërë simboli më i dhimbshëm i një brezi që po rritet mes dhunës, mungesës së perspektivës dhe dështimit të sistemit arsimor.
Një grindje e zakonshme mes adoleshentëve përfundon në tragjedi. Kjo nuk është thjesht pasojë e impulsivitetit të adoleshtëve, por një reflektim i një shoqërie ku dhuna perceptohet si e vetmja mënyrë për të zgjidhur konfliktet.
Prindërit janë të dëshpëruar, mësuesit janë të pafuqishëm dhe institucionet janë të gërmadha me njerëz që sorollaten pa busull drejtimi, por të
orinetuar drejt shtimit të zerove në llogaritë bankare dhe servilosjes për pushtet. Në vend të mbështetjes dhe edukimit, të rinjtë përballen me një realitet të zymtë që i shtyn drejt dëshpërimit dhe shpesh drejt dhunës.
Mjerimi: Një realitet i hidhur
Në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, mijëra familje jetojnë në kushte të mjerueshme, duke luftuar çdo ditë për të mbijetuar. Ndërsa politikanët festojnë sukseset imagjinare, realiteti është një tjetër: papunësi, emigracion masiv dhe venitje të shpresës. Njerëzit ikin nga vendi, jo sepse duan, por sepse nuk shohin asnjë alternativë tjetër
Fëmijët ndjekin mësimin në shkolla pa ngrohje, spitalet janë në një gjendje më keq se ato të mesjetës dhe pensionistët luftojnë për të siguruar ushqimin e përditshëm.
Ky është realiteti i një Shqipërie që ka harruar qytetarët e saj dhe i ka lënë ata në mëshirë të fatit.
Shqipëria është më shumë se kaq. Por vetëm nëse zgjedhim të reagojmë dhe të ndryshojmë, mund të dalim nga hija e krimit dhe korrupsionit që po e gërryen çdo ditë.