Nga Çim Peka – Librin me kujtime të sapobotuar të ish-kancelares gjermane Angela Merkel, në libraritë polake e gjen në seksionin e librave me subjekt ‘horror’. Jam i sigurt se, nëse Sekretari i Shtetit në ikje Antony Blinken do të zgjedhë të shkruajë kujtimet e tij, të njëjtin fat do të ketë jo vetëm në Poloni, por edhe në Baltik, Ukrainë, Palestinë, Izrael, Siri. Në Iran ka mundësi ta vendosin librin e tij në seksionin për financë/biznes.
Në majin e vitit 2021, ndërkohë që talebanët po bënin përgatitjet e fundit për të marshuar drejt Kabulit, ambasada amerikane ishte e zënë me festimet e ‘Muajit të LGBT’ dhe zëvendësimin e flamurit amerikan me flamurin me ngjyra të ylberit në çatinë e ambasadës. Ndërsa vetë sekretari Blinken ishte i zënë duke i futur thikën pas shpine liderit dhe partisë më pro-amerikane në Evropë.
Për ironi të fatit, në të njëjtën kohë që ai shpallte Sali Berishën non-grata, personin që kishte udhëhequr lëvizjen për rrëzimin e komunizmit dhe kishte anëtarësuar Shqipërinë në NATO, ministrja Belinda Balluku, mbesa e ish-ministrit komunist të mbrojtjes, e atij që kishte kaluar jetën duke vrarë shqiptarët që donin Amerikën dhe NATO-n, ftohej të vizitonte një luftanije amerikane e ankoruar në ujërat shqiptare. Kjo tregonte se sa shumë kishte ndryshuar Amerika.
Sali Berisha, Partia Demokratike e udhëhequr nga ai, apo dhe Shqipëria mund të jenë irrelevante në rrafshin global, por mesazhi që Blinken u dërgoi liderëve pro-amerikanë nëpër botë ishte i frikshëm: jo vetëm për interesa momentale amerikane, por edhe për shkak të ndërhyrjeve korruptive të George Soros, asnjëri nga ju nuk është imun. E lidhur apo jo me sulmin ndaj Sali Berishës dhe partisë së tij konservatore, ajo që bota pa në 4 vitet në vazhdim të administratës Biden, ishte humbja e respektit dhe autoritetit të Amerikës në katër anët e botës.
Më 19 tetor të vitit 2020, 51 ish-drejtues të lartë të agjencive amerikane të inteligjencës nënshkruan një letër ku deklaronin me autoritet të plotë se laptopi i Hunter Biden nuk ekzistonte dhe se gjithçka ishte një operacion i Rusisë për të ndihmuar Donald Trump kundër Joe Biden. Në atë kohë një zyrtar i lartë i shtabit elektoral të kandidatit Biden, Antony Blinken ishte personi që hartoi letrën personalisht dhe mblodhi 51 ish-drejtuesit e inteligjencës ta nënshkruanin atë. Blinken u mblodhi firmat atyre personalisht. Joe Biden fitoi dhe Antony Blinken u shpërblye duke u emeruar Sekretar Shteti. Më vonë doli që laptopi i Hunter Biden ishte i vërtetë, dhe se vetë Blinken e dinte që ai ishte i vërtetë. Hunter Biden u hetua, u gjykua dhe u dënua për korrupsion. Pikërisht për atë korrupsion që Antony Blinken kërkonte ta mbulonte. Për korrupsion dhe ndërhyrje në drejtësi ai shpalli dhe Sali Berishën non-grata. Ndërkohë që Berisha u arrestua prej treshes Soros-Rama-Blinken, hetimi pasuror ndaj tij për 35 vite dhe tre breza jo vetëm që e pastroi atë nga çdo akuzë, por nxori se ai ishte më i pastër se vetë Blinken.
Po për ironi të fatit, në kohën kur hetimi pasuror e pastroi Berishën nga çdo akuzë e lobeve politike dhe mediatike dhe kur gjykata shqiptare nxitoi të lironte Berishën nga frika e Gjykatës së Strasburgut, presidenti në ikje i SHBA-ve, Joe Biden nxitoi të falte të birin Hunter nga dënimi dhe nga çdo hetim tjetër i mundshëm për afera të tjera gjatë 10 viteve të fundit.
Për shqiptarët dhe miqtë e ShBA-ve anë e mbanë botës, 20 janari është shumë larg.