Rruga drejt BE sa vjen dhe afrohet për vendin tonë. Shqipëria do të hapë më 17 dhjetor negociatat me BE-në për grup-kapitullin 6: Marrëdhëniet e jashtme. Presidenca Hungareze e Këshillit Evropian bëri të ditur se është miratuar nisja e negociatave me Shqipërinë për grup-kapitullin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor.
”Ambasadorët kanë miratuar gjithashtu qëndrimin e përbashkët të BE-së për grupin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor. Konferenca Ndërqeveritare e Javës së ardhshme do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, duke i bërë jehonë angazhimit të BE-së për të përshpejtuar procesin e pranimit me vendet kandidate”, thuhet në një reagim në platformën “X”, të Presidencës Hungareze.
BE ka hapur tashmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë për Klasterin 1: Bazat. Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të “Themelorëve”, më 15 tetor që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Zhvillimi i Konferencës Ndërqeveritare në 17 dhjetor pritet të shënojë tjetër moment vendimtar për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.
