Kryeministri Edi Rama tha gjatë emisionit “Opinion” se përgjimet e marra nga EncroChat dhe Sky ECC u takojnë organeve ligjzbatuese që t’i hetojnë. Ai tha se aty ka me qindra mijëra mesazhe të botës së errët, por i takon Prokurorisë së Posaçme që t’i provojë dhe më pas ndëshkojë personat përgjegjës. Ai tha edhe veten e vet që nuk çuditet nëse edhe del në komunikimet e përgjuara, por këto janë “muhabete kot”.

“Kjo historia e Encro Chat-eve dhe Sky ECC është një histori që i takon organeve ligjzbatuese ta hetojnë. Aty ka me qindra mijëra mesazhe ku çfarë nuk thonë e çfarë nuk tregojnë. Por ato s’duhet të thonë asgjë deri në momentin kur çfarë thotë njëri që “isha atje, takova atë të gjatin”, po marr rastin tim edhe pse s’ka dalë, por nuk çuditem edhe po të dalë. “Takova atë të gjatin”, “më tha ai i gjati shiko, se këtu…”. Këto janë muhabete kot”, – tha Rama.

Në këtë shtet ka organe që merren me këto punë. Me ato llumra ka një organ ligjzbatues që quhet Prokuroria e Posaçme që po merret, po bën edhe goditje, por që të bëjë goditje duhet t’i provojë ato gjëra se aty ka shumë llum. Prokuroria e Posaçme merret me këtë punë”, – shtoi Rama.

Krijimi i “Shtetit Bektashi” të ngjashëm me atë të Vatikanit në zemër të kryeqytetit vazhdon të mbetet ende një ndër temat më të nxehta të opinionit publik. Kryeministri Edi Rama është munduar të japë disa detaje nga kjo ide. Ai u shpreh i vendosur për krijimin e “Shtetit Bektashi” në një territor prej 11 hektarësh brenda perimetrit të Kryegjyshatës. Megjithatë Rama tha se kjo temë kërkon sqarime të mëtejshme duke shtuar se krijimi i këtij “mikro-Vatikani” nuk sjell asnjë risk apo dëm për shtetin shqiptar.

“Unë besoj se kjo është një ide e cila, një ditë nuk diskutohet se do të realizohet. Është një ide konkrete dhe është një ide shumë pozitive për Shqipërinë, për shqiptarinë, për kulturën dhe traditën shqiptare, për pozicionin tonë në hartën më të madhe të kontinentit dhe të botës, po të doni. Pa diskutim! Përsëri po i referohem historisë, ti e di shumë mirë se çfarë roli kanë bektashinjtë në historinë e vendit tonë dhe çfarë fenomeni kulturor janë bektashinjtë. Dhe tjetra është që ky është një thesar i trashëgimisë tonë kulturore që rrezikon të zhduket sepse është një komunitet që e ka qendrën botërore në Shqipëri.

Po ta kisha unë të gjithën në dorë do e kisha bërë. Kjo duhet diskutuar, kjo duhet shpjeguar. Qendra botërore është këtu e para dhe nuk funksionon si një e tillë. E dyta ky është një komunitet që ndryshe nga komunitete e tjera fetare, nga komunitetit mysliman, nuk i përket një bashkësie globale, siç janë myslimanët dhe katolikët. Ata janë pjesë e një rrjeti dhe kanë mundësi të edukojnë imamët, priftërinjtë të gjithë klerikët e rinj nëpër shkolla, kanë mundësi të marrin mbështetje, donacione dhe vëmendje. Ndërkohë që ky është një thesar shqiptar, është një komunitet shumë i veçantë dhe dhënia e një statusi të veçantë këtij komuniteti.

Të një statusi të veçantë, të një juridiksioni. Është ngritje e një tjetër piedestali i një thesari të kulturës shqiptare. Të gjithë duhet të kenë parasysh që bëhet fjalë për të njëjtin perimetër brenda mureve të cilit është Kryegjyshata dhe brenda atij perimetri jepet një juridiksion i posaçëm. Ai entitet aty, me atë juridiksion të posaçëm nuk është një shtet në kuptim që vendos taksa, që ka policinë apo ushtrinë, por është një entitet me një imunitet diplomatik, me një përfaqësim diplomatik dhe në një farë mënyre është një “mikro Vatikan” që funksionon për komunitetin bektashi, por që është i hapur për të tërë. Vetëm efekti ekonomik i kësaj lëvizjeje për shqiptarët është i pallogaritshëm. Të gjitha artikulimet janë çështje detajesh, ideja është kjo dhe çdo shqiptar që ka respekt për historinë, për gjithë diversitetin e kësaj bashkësie shqiptare duhet ta shikojë këtë si një gjë që është vetëm vlerë e shtuar, nuk ka asnjë lloj risku apo dëmi” – tha Rama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts