Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur Tik Tok, që kërkonte sqarime urgjente nga Shqipëria lidhur me vendimin për mbylljen e aplikacionit për 1 vit.
Vendimi erdhi pas konsultimeve të gjera, pas ngjarjes së rëndë kur një nxënës shkolle goditi me thikë dy bashkëmoshatarë të tij, njvri humbi jetën dhe tjetri u plagos, pas një sherri që duket se ka nisur në rrjetet sociale.
Në reagimin e tij, Rama shprehet se TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut.
“Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë”, thuhet në reagimin e Kryeministrit.
Reagimi i Edi Ramës
Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë.
TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut.
Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.
Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë:
Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku.

Reagimi i TikTok: Presim sqarime urgjente nga qeveria shqiptare
Kompania kineze e rrjetit social, TikTok thotë se do të kërkojë ‘sqarime urgjente nga qeveria shqiptare” lidhur me vendimin për mbylljen e platformës TikTok për një vit në Shqipëri, shkruan Associated Press.
Sipas vendimit të bërë të ditur dje nga kryeministri Edi Rama prej janarit të 2025 platforma e TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë, si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me armë të ftotë të 14 vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, gjatë një konflikti me një tjetër nxënës po i kësaj shkolle, ndodhur më 18 nëntor 2024.
Platforma fajësohet për nxitje të dhunës dhe bullizmit, veçanërisht midis fëmijëve.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse TikTok ka një kontakt në Shqipëri, shkruan AP duke publikuar dhe një përgjigje me email, ndaj një kërkese për koment nga kompania kineze e cila informoi se do të kërkojë “qartësi urgjente nga qeveria shqiptare” për rastin e adoleshentit të vrarë me thikë.
Në një reagim për Associated Press kompania e rrjetit social, TikTok tha se “nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.”
Fëmijët shqiptarë përbëjnë grupin më të madh të përdoruesve të TikTok në vend, sipas studiuesve vendas.
Përmes një postimi në facebook kryeministri Edi Rama thotë se vendimi u nxorr si konkluzion “pas 1300 takimeve të organizuara në të gjithë territorin e vendit nga Ministria e Arsimit, ku morën pjesë 65.000 prindër, si edhe nga anketimi i bërë ku mbi 90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në platformën Tik Tok në Shqipëri”
Gjatë takimit përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësues e prindër, kreu i qeverisë bëri të ditur dje se përgjatë vitit të aplikimit të masës do të shihet se si veprojnë vende e tjera dhe nëse do vendosen filtra në rrjetin social.
“Është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. TikTok do ta mbyllim për një vit. Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikTok”, tha Rama në takimin e fundit përmbyllës të konsultimit publik”, u shpreh kryemimistri Edi Rama.
Ka pasur shqetësime në rritje nga prindërit shqiptarë pas raportimeve të fëmijëve që marrin thika dhe sende të tjera në shkollë për t’i përdorur në grindje ose raste ngacmimi të nxitura nga historitë që ata shohin në TikTok.
Kryeministri tha se promovon vetëm dhunë, krime e llum, në ndryshim të përmbajtjeve që shfaqen në Kinë, vendi mëmë i kompanisë.
”TikTok në Kinë, ku është kompania e tij mëmë, janë të ndryshme, duke promovuar si të studiojmë më mirë, si të ruajmë natyrën … e kështu me radhë”, sipas Ramës.
Shqipëria është një vend shumë i vogël për t’i imponuar TikTok një ndryshim të algoritmit të tij në mënyrë që të mos promovojë “riprodhimin e ferrit të pafund të gjuhës së urrejtjes, dhunës, bullizmit e kështu me radhë”, shkruan zyra e Ramës në një përgjigje me email drejtuar kërkesës së Associated Press për koment.
Zyra e Ramës tha se në Kinë TikTok “parandalon fëmijët që të thithen në këtë humnerë”
Mbyllja e Tik Tok-ut pritet të shoqërohet nga vendosja e kamerave brenda dhe përreth shkollave, rregulla të reja mbi telefonat celularë gjatë orëve mësimore, me dyfishimin e oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, si dhe me koordinim më të fortë mes tyre dhe policisë së shtetit e programe trajnimi dhe bashkëpunim më të ngushtë me prindërit.
Por jo të gjithë ishin dakord me vendimin e Ramës për të mbyllur TikTok.
“Vendimi diktatorial për mbylljen e platformës së mediave sociale TikTok … është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë”, ka thënë Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike për AP
“Është një akt i pastër elektoral dhe abuzim me pushtetin për të shtypur liritë”, shtoi ajo për Associated Press
Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.