Ende nuk dihet arsyeja që i çoi Hamza Licin dhe Arlind Bushatin në Dobraç të Shkodrës, por të dy janë pritur me breshëri plumbash dhe udhëtimi në periferi ka qenë fatal. Hamza Lici, djali i Mustafa Licit është pjestar i një familjeje të njohur për konfliktin me grupin e Bajrave, ndërsa Arlind Bushati disa ditë më parë i kanë dhënë një mesazh kërcënues, të cilin ai e kishte denoncuar në polici.
Hamza Lici dhe Arlind Bushati kanë qenë duke lëvizur me një mjet Mercedes Benz kur u qëlluan me armë dhe sipas dëshmitarëve, viktimat kanë nxjerrë armët dhe janë kundërpërgjigjur me armë. Por në momentin që janë qëlluar makina e tyre ka devijuar nga breshëritë e armëve dhe ka përplasur një çift që udhëtonin me motor.
Për pasojë gruaja e moshuar që ishte pasagjere në motorr ka ndërruar jetë, ndërsa i shoqi është në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Shkodrës.
Disa orë pas ngjarjes, policia shpërndau një njoftim për mediat, sipas të cilit “automjeti ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi Bashkim Basha dhe bashkëshortja e tij shtetasja Flutura Basha, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B” thuhet në njoftimin e policisë.
Denoncimi i Arlind Bushatit në polici
Rreth tre javë më parë, Arlind Bushati u paraqit në polici me një denoncim. Dy persona të maskuar që lëviznin me një motor i kishin drejtuar pistoletën në shenjë kërcënimi. Për këtë ngjarje, Bushati kishte kërkuar mbrojtje nga policia, ndërkohë që kërcënimi ishte bërë në mes të ditës në një zonë të mbipopulluar.
Nuk dihet nëse policia arriti t’i gjejë personat që e këcënuan Bushatin, por ditën e sotme ai u qëllua nga breshëritë e armëve.
Hasmëria mes fisit Lici dhe Bajrave
Dobraçi është një zonë që përmendet vazhdimisht në media për shkak të ndikimit që kanë aty grupi i Bajrave. Pjestarët e grupit së fundmi kanë marrë një goditje nga SPAK, pas daljes së përgjimeve të SKY ECC, megjithatë konflikti me fisin Lici është permanent. Babai i Hamza Licit, Mustafa Lici ishte në SPAK disa muaj më parë për të dhënë një dëshmi, ndërsa vëllai tjetër i tij, Ibrahim Lici është shpallur në kërkim dhe aktualisht gjendet në Turqi. Duke njohur konfliktin me Bajrat, mbetet mister arsyeja që e ka çuar në Dobraç Hamza Licin.
SKY ECC zbuloi të vërtetat e policisë së Shkodrës
Përgjimet e SKY ECC kanë zbuluar një bashkëpunim të frikshëm të policisë së Shkodrës me bandat. Rasti më flagrant ishte ai i shefit të krimeve të këtij qyteti, Ardit Hasanbegaj i cili në disa raste i bindej të fortëve për lokalizimin e kundërshtarëve apo për manipulimin e hetimeve.
I tillë ishte rasti i vrasjes së Gjin Boriçit nga grupi i Bajrave, për të cilin më vonë shefi i krimeve të Shkodrës u urdhërua të mos hetonte. Po ashtu, nga bisedat në SKY ECC u zbulua se ish-shefi i Krimeve të Shkodrës, Ardit Hasanbegaj i shërbeu bandës së Bajrave edhe për kërkimet e Ibrahim Licit, që ishte shënjestra e tyre kryesore në Shkodër. Madje familja Lici u vu në përgjim për komunikimin me Ibrahim Licin dhe informacionet e policisë kalonin direkt tek banda kundërshtare që kërkonte vrasjen e tij.
Edhe pas operacioneve të SPAK, ngjarja e fundit tregoi se bandat janë një realitet i pamohueshëm në qytet, ndërsa policisë nuk i ngelet tjetër veçse të numërojë kufomat