Në një nga konfliktet që ndodhën sot në parlament mes deputetëve të përjashtuar të opozitës dhe policëve, u duk se një polic lëviz dorën e djathtë në të njëjtin pozicion sikur të ishte duke nxjerrë një armë. Përballë tij ishte deputeti i PD Luan Baçi që tentonte të futej në sallë.
Veprimi i policit duket instiktiv në pamje të parë, por nxjerrja e një arme në oborrin e parlamentit për t’ia drejtuar deputetit do të ishte skandal. Në video duket që polici vetëm sa e vendos dorën në ije, ndërsa Luan Baçi shkon larg dhe thotë se ia vunë armën në gjoks.
Policia doli me një njoftim zyrtar ku tha se asnjë efektiv i saj në kuvend nuk ka qenë i armatosur.
“Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit” thuhet në njoftimin e policisë.
Reagim i Policisë së Shtetit:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.
Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.
Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.
Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.
Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.
Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.
Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.