Nga Ervin Resuli – Pata kënaqësinë e madhe të ritakoj pas kaq vitesh Nuri Korita , njeriun e kamerës, që ka qenë dëshmitar i heshtur i momenteve të gëzimit dhe dhembjes në qytetin tonë. Nuriu, me shpirtin e tij artistik dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm, ka kapur në celuloid copëza jete që flasin për emocionet e fuqishme dhe kujtimet e pashlyeshme të një qyteti që rritet dhe ndryshon.
Takimin tim të parë me të e kujtoj qartë, rreth viteve 2003-2005, kur isha i angazhuar në mediat lokale. Nuriu, gjithmonë i pranishëm aty ku rrëfehej një histori, ishte figura që të bënte përshtypje jo vetëm për profesionalizmin e tij, por edhe për përulësinë dhe seriozitetin me të cilin trajtonte çdo detaj. Në ato vite e takonim jo vetëm në qytet, por edhe në gëzime familjare, në dasmat në fshat, aty ku njerëzit ia besonin atij kujtimet e tyre më të çmuara.
Sonte, në studiot e Ora News, më dukej sikur kisha hapur një derë të kohës dhe përballë më qëndronte po ai Nuri, i pandryshuar në shpirt, por tashmë me përvojën dhe pjekurinë e viteve të shumta pas kamerës. Nga kasetat VHS të dikurshme deri te teknologjitë e avancuara të ditëve tona, ai vazhdon të mbetet një ikonë e fotografimit të shpirtit të qytetit të Fierit.

Takime të tilla, me njerëz fisnikë si Nuri Korita, të kujtojnë se në çdo hap të jetës ka individë që punojnë në heshtje për të ndriçuar momentet tona të shkuara dhe për t’i kthyer ato në kujtime të pavdekshme. Një kënaqësi e vërtetë, një moment i veçantë!