KRYESORE OP&AN
3 min read
119

NË BORXH ME TY, HAJRIE RONDO…!

September 10, 2024
0
NË BORXH ME TY, HAJRIE RONDO…!

Nga Përparim Kabo – Në borxh me ty, Hajrie Rondo…!
Po, po, jam në borxh me ty, Hajrie Rondo.

Fati m’u dha të të njihja nga afër, të flisja e të kuvendoja…
Ti e hape e para bisedën. Edhe pse ajo djall sëmundje kishte hyrë në trupin tënd, bukuria ishte tretur dhe flashkja kishte fishkur disi fytyrën tënde, drita e syve ishte po ajo, e thellë, e ndezur, e mençur, fole dhe më the: “ E dua zërin tënd, është i kadifenjtë, si edhe shpirti yt !”U ndjeva i vlerësuar deri në një përkëdhelje prej motre. Vijuam më tej e zbritëm poshtë, në vitet kur frika dhe emërtimet tinzare krijonin një ambient mbytës dhe dëshpërues.

Ndjehesha e fyer, por edhe e trembur, më the. Punoja në Teatrin e Dramës “ Bylis” me miq e me shokë, me kolege dhe kolegë, me regjisorë të zotë, por ajo fjala që i kishin ngjitur tim shoqi, Kiços, se si më gërryente. Ne punonim me pasion, me mish e me shpirt, me ndershmëri!Dramat që vinim në skenë tallaziteshin edhe në dramën time njerëzore. Kështu shpirti im ishte në furtunë.

Atë ditë që u bëre ambasadore e paqes dhe të vura dorën mbi shpatull, ndjeva brishtësinë tënde. Por fjalët ua the ballas, t’i dëgjonin të mbarë dhe të prapë! Paqja kishte qenë brenda teje!

Arti yt, Hajrie Rondo, më afroi me ty. Kush të pa në teatër dhe nuk u trondit, nuk ndjeu etosin tënd dramatik dhe pathosin femëror!
Fjala jote artistike kishte musht emotiv, ngjyrim emocional tejet të ndjerë, falte një meditim skenik, i cili kishte brenda mendimin, ironinë, kur duhej, sarkazmën, kur lypej, por ,mbi të gjitha, shpirtin e paepur të gruas që sakrifikonte aq njerëzisht. Në kinematografi figura jote është e niveleve europiane! Te filmi “ Përrallë nga e kaluara”… , je një mrekulli! Pa ty ajo ngjarje filmike do të ishte si pa shije.

… E gjetëm Vangjeeel, e gjetëm…!, dhe me jastëkun nën fustanin e Marigosë, befasia komike zgjidhte nyjen filmike të ngjarjes. Si më the:” Për të bërë atë rol, vajta në Zagori , të mësoja terbietet e grave dhe sjelljet e tyre, mënyrën si flisnin dhe si silleshin…

Dhimitër Anagnosti kishte qëlluar me ty në atë rol. Edhe Vladimir Prifti në filmin “ Kush vdes në këmbë”. Gruaja e Petro Nini Luarasit, me Guljelm Radonë në rolin e tij. Një shpërfaqje e ndjenjave dhe fisnikërisë së gruas shqiptare!

Hajrie e dashur…,
të kujtojmë gjithmonë. Arti yt është aq i larmishëm, aq i natyrshëm, aq ndjenjandjellës!

Jemi në borxh me ty…! Më shumë duhej të kishim hulumtuar në modelin që ti krijove. Ndjesë , o fisnike! Aktorja që si tipar themelor pati modestinë, ndërsa si thirrje të brendshme motivuese, dinjitetin!

U mbushën 7 vite nga ikja jote. Ajo biseda jonë e fundit në telefon , në gusht, zëri yt i mekur dhe dëshpërimi i Kiços…
Ike duke parë detin për karshi. U fike si një flakëz aromatike arti…
Në borxh me ty, Hajrie Rondo…!
Ti je Nder i Kombit Shqiptar !
Miku yt Përparim,
P.Kabo. 10 shtator, 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts