Vetëm pak ditë para ndërrimit të viteve, në Vlorë dhe Fier, rrugët janë mbingarkuar nga lëvizja e mjeteve. Ditët e fundit të dhjetorit kanë sjellë numër të madh emigrantësh që janë kthyer për të kaluar ndërrimin e viteve pranë familjeve, duke shkaktuar njëkohësisht probleme në qarkullimin e mjeteve.
Kjo është një dukuri që ndodh disa herë në vit kryesishtë në ndërrimin e viteve, për festën e Pashkëve si dhe në pushimet e Verës.
Akset kryesore të qytetit të Fierit, si rruga në drejtim të Mbrostarit, kryqëzimi në drejtim të Patosit, apo dhe kryqëzimi me drejtim Vlorën, janë disa nga pikat problematike të qarkullimit rrugor në këto ditë festash.
E njëjta situatë është dhe në Vlorë, ku akset kryesore si rruga “Transballkanike” apo “Lungomare”, radhët e automjeteve janë të gjata.
Në disa raste, trafiku është shtrirë edhe në rrugët më të vogla, duke rënduar situatën dhe duke krijuar një atmosferë tensioni në qytet. kreu i qarkullimit rrugor në Vlorë, Arbër Koçaj tha se është rritur patrullimi në qytet nga policia.
Gjatë ditëve të festave, pritet të rëndohet dhe më tej situata nga trafiku, për shkak të fluksit të lëvizjes.