Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia për protestën e opozitës.
Në një postim në “Facebook”, Ilir Meta deklaroi se kjo ishte një ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe u shprehu mirënjohje qytetarëve për pjesëmarrjen.
Në shkrimin e tij, Meta dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve, ku u shpreh se këto veprime janë tregues të panikut të Edi Ramës.
“Një ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët! Mirënjohje qytetarëve zemërluanë dhe të pamposhtur që e shndërruan sonte Mosbindjen Civile në uraganin e Lirisë për Tiranën dhe të gjithë Shqipërinë.
Dhuna kriminale e narkopolicisë ndaj drejtuesve të opozitës dhe qytetarëve paqësorë, rrëmbimet e tyre banditeske dhe arrestimet e paligjshme janë tregues i panikut të Edi Ramës që po jep shpirt, por edhe i fundit të Narkoregjimit që po rrokulliset me shpejtësi drejt fundit të pashmangshëm.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe raprezaljet policore dhe u kujtoj të gjithë banditëve me uniformë që shkelin ligjin për llogari të Edi Ramës se do ta kenë personale me opozitën. Mosbindja civile dhe protestat e fuqishme nuk do të ndalen!”