Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ka shprehur dhe njëherë qëndrimin e sajpër çështjen e emigrantëve teksa ka folur në Senatin në Romë. Ritheksimi i qëndrimit të Melonit vjen pak përpara mbledhjes së Këshillit Europian më 17 dhe 18 tetor, ku në fokus të diskutimeve pritet të jetë pikërisht emigracioni i parregullt në kufijtë e unionit.
Ndërkohë, në Senat, Meloni tha se qasja e Evropës ndaj emigracionit ka ndryshuar, falë edhe kontributit italian, ndërsa shtoi se vendi i saj është kthyer në një model për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Kryeministrja italiane shtoi se këtë vit, krahasuar me vitin 2023, zbarkimi i emigrantëve të parregullt është ulur me 60%, ndërsa ka nisur të ulet edhe numri i personave që humbasin jetën në det.
Duke iu referuar hapjes së qendrave për azilkërkuesit në veri të Shqipërisë, Meloni tha se qendrat kanë filluar të funksionojnë dhe se ishin tepër të kënaqur. Ajo tha se kjo është një rrugë e re, e guximshme, që mund të ndiqet me vendet e tjera që janë jashtë Bashkimit Evropian.
“E vetmja mënyrë për të parandaluar tragjedi të mëtejshme në det është parandalimi i zbarkimeve dhe luftimi i trafikantëve që veprojnë pa ngurrim. Duke nisur nga Këshilli Europian i nesërm, me iniciativën e Italisë, do të organizohen takime joformale të vendeve të Bashkimit në të cilat emigracioni ka efektet më të mëdha.
Dy qendrat në Shqipëri filluan të funksionojnë, jemi shumë të kënaqur. Kjo është një rrugë e re, e guximshme, që mund të ndiqet me vendet e tjera që janë jashtë Bashkimit Evropian. Falënderoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe gjithë qeverinë e tij për besimin në gjithë këtë nismë”, tha Meloni.