Albert Vataj – Më 8 dhjetori 1990 shënon një moment historik për Shqipërinë, pasi simbolizon fillimin e rënies së regjimit komunist dhe nisjen e lëvizjes demokratike në vend. Në këtë datë, studentët e Universitetit të Tiranës organizuan protestën e parë të madhe kundër regjimit komunist të udhëhequr nga Ramiz Alia.

Protesta e studentëve nisi në Qytetin Studenti dhe gradualisht mori mbështetje të gjerë nga shoqëria. Kërkesat fillestare ishin për kushte më të mira në konvikte dhe reforma në sistemin arsimor, por shumë shpejt ato u shndërruan në thirrje për ndryshime politike dhe fundin e regjimit totalitar.

Në këtë ditë, lëvizja studentore hodhi themelet për pluralizmin politik, duke çuar më pas në krijimin e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare pas mbi 45 viteve të një regjimi njëpartiak. Ndër figurat kryesore të protestës ishte Sali Berisha, i cili u shndërrua në një nga liderët e opozitës demokratike.

8 dhjetori, sot i njohur si Dita Kombëtare e Rinisë, festohet çdo vit në Shqipëri si një ditë që nderon guximin e rinisë dhe rolin e saj kyç në transformimin historik të vendit.

Kjo ditë do të jetë më shumëse kujtesë, për të gjitha ata që besuan në idelet e lirisë dhe demakracisë, në idealet e Lëvizjes së Dhjetorit, për ata që besuan te principet e larta si të shenjtat të gjeneratës që guxonte të kryengritte, të këpuste vargonjtë e tiranisë, në përgjigje të rrjedhës së transformimeve që kishte rrokur krejt Lindja.

Kjo ditë është shumë më shumë, për ata, idealet e të cilëve u thyen bashkë me shpresat për të besuar.

Asnjë zemër nuk u ligështua më shumë se ajo që ka besuar marrëzisht tek idealet e tij që ishin njiherash idealet e lirisë dhe demokracisë, idealet e ëndrrave, të cilat sot i sheh teksa janë katandisur në kujtime të ngjethshme e sëmbime të thekshme shpirti.

Sot Shqipërinë e kemi më të mirë se 34 vite më parë, por mund dhe duhet të ishte më e denjë për ata që idealizuan ëndrrat e tyre për atdheun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts