Harry Potter dhe Guri Filozofal- J. K. Rowling (në fakt, çdo seri e magjistarit Harry Potter është e mbushur me magji Krishtlindjesh!). Lexoni për Krishtlindjet e para të djaloshit Potter në Hoguarst. Do t’ju habitë pamasë salla e madhe e shkollës e zbukuruar si jo më mirë për festë dhe tryeza plot me ushqime magjike të lloj-llojshme. 12 pemët gjigande janë të hijeshuara me heje akulli dhe qirinj vezullues që ndizen me magji, s’do mend. Magjisë që duket në ajër, shtojini edhe një grimcë magjie, nga ajo e vërteta!

Një këngë Krishtlindjesh- Charles Dickens. Plaku gërnjar Ibenezer Skruxh nuk besonte tek shpirti i Krishtlindjeve, nuk besonte as tek fjalët e nipit të tij zemërmirë Fredit, se “Krishtlindjet janë kohë e shenjtë dhe e hareshme, që duhet festuar patjetër me njerëzit e dashur”, derisa fantazmat e Krishtlindjeve të Shkuara, të Tashme dhe të Ardhme, i tregojnë sa shumë kishte humbur duke mos gëzuar me familjen e tij. Ditën Krishtlindjeve ndodh një mrekulli: Ibenezer Skruxh bëhet i dashur dhe i mirë.

Dhurata- Cecilia Ahern. Ky mund të quhet versioni modern i romanit të Dickens-it, Një këngë Krishtlindjesh, por që vendoset në Dublinin e ditëve të sotme. Lou Sufern është një ekzekutiv jashtëzakonisht i suksesshëm dhe ambicioz, i cili ka vetëm një të metë: vë punën para gjithçkaje, madje edhe para familjes dhe Krishtlindjeve…deri në momentin kur një i pastrehë i ofron pilulën me aftësi klonuese. Dhuratë pak e çuditshme, hë?!

Të mos festosh Krishtlindjet- nga romancieri amerikan John Grisham. Imagjinoni një vit pa Krishtlindje! Pa zbukurime në derë, pa festa në zyrë, pa darkën e zakonshme në shtëpi me miq, pa dhurata. Këtë kishin në mendje Luther dhe bashkëshortja e tij Nora, kur vendosën që një vit të vetëm të arratisen për pushime në Karaibe në kohë Krishtlindjesh. Por, ata nuk e kishin menduar kurrë se të mos festosh Krishtlindjet mund të sjellë kaq shumë pasoja…

Plepat berlinezë- Anne B. Radge. Saga e familjes Neshov e vendosur në sfondin e Norvegjisë Veriore në prag Krishtlindjesh, me vitrinat e zbukuruara mjeshtërisht; tre vëllezër, shpirti i të cilëve ka shumë brenga. I shkruar bukur e plot mister, ky është portreti i një familjeje që mbart në vetvete të fshehta e të pathëna. Mos është kjo koha më e përshtatshme për të reflektuar mbi atë që jemi, mbi thellësinë e lidhjeve të gjakut?

Lartësitë e Stuhishme-  Emily Brontë.Në dimrin e ashpër të vitit 1801, Ludvik Lokud merr në pronësi një banesë pranë vilës Lartësitë e Stuhishme. Kureshtar nga çka sheh përreth, i kërkon shërbyeses të shtëpisë, Nelit, t’i tregojëhistorinë e vilës madhështore dhe pronarëve të mëparshëm, të cilën Lokud e përmbledh në formën e një ditari. Historia komplekse e Hithklifit dhe e banorëve të tjerë të fermës Lartësitë e Stuhishme, e rrëfyer sipas stilit Brontë, është romani që do t’ju mbajë pranë zjarrit ditët e festave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts