Barcelona rrëmben triumfin në El Clasico në javën e 11 të La Liga dhe e bën këtë me një paraqitje që do të mbetet në histori. Blaugranat shkatërrojnë Real Madrid 4-0 në Bernabeu, të udhëhequr nga një dygolësh i polakut Lewandowski. Yamal dhe Raphinha gjithashtu iu bashkuan festës, ndërsa Mbappé pa t’i anuloheshin dy gola për pozicion jashtë loje. Katalanasit e Flick arrijnë në 30 pikë në kampionat, duke i lënë rivalët e tyre në 24. Fitore edhe për Villarreal, Rayo dhe Las Palmas.
REAL MADRID-BARCELONA 0-4
Ancelotti u përball me mungesa të rëndësishme si Courtois dhe Rodrygo, ndërsa Flick kishte në dispozicion të njëjtët lojtarë që dominuan Bayern Munchen në Champions League. Në Bernabeu, ishte Reali që filloi furishëm, duke rrezikuar me Mbappé që në minutën e 2-të. Francezi doli i vetëm përballë Peña-s, por nuk arriti të shënonte, megjithatë, gjyqtari anësor sinjalizoi për pozicion jashtë loje. Reali vazhdoi të sulmonte me intensitet dhe kaloi në avantazh në minutën e 30-të me ish-lojtarin e PSG-së. Por, festimi i Blancos zgjati vetëm disa çaste, pasi VAR-i e anuloi golin për pozicion jashtë loje.
Rezultati mbeti 0-0 deri në fillimin e pjesës së dytë, kur brenda dy minutash Barcelona arriti të shënojë dy gola, duke e çuar rezultatin në 2-0 në minutën e 56-të. Autori i dy golave ishte Lewandowski, i cili shënoi fillimisht me të djathtën dhe pastaj me kokë. Dhjetë minuta më vonë, Mbappé shkurtoi diferencën, por sërish goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje. As Reali nuk pati kohë të riorganizohej, kur Lewandowski goditi shtyllën, duke humbur një mundësi të pastër për të çuar rezultatin në 3-0.
Golin që vulosi fatin e ndeshjes e shënoi Yamal në minutën e 77-të me një goditje të pakapshme që përfundoi në kryqëzimin e shtyllave. Në minutën e 85-të, Barcelona vulosi rezultatin 4-0 me një gol nga Raphinha. Braziliani përfitoi nga një gabim tjetër i mbrojtjes së Realit, u nis drejt portës dhe shënoi me një parabolë të saktë.
Barcelona fiton kështu El Clasico me një “poker” spektakolar në Bernabeu dhe ngjitet në kuotën e 30 pikëve, duke lënë Real Madrid prapa me 24 pikë.