Në një letër drejtuar ambasadës amerikane, familja e Martin Canit ka hedhur akuza të forta drejt institucioneve shqiptare për një tentativë të manipulimit të vrasjes. Prindërit e Martinit, vënë në dukje se askush nuk ka dhënë dorëheqjen për vrasjen e djalit të tyre, ndërsa kjo që po ndodh është një vrasje e dytë e fëmijës së tyre.
LETRA E PLOTE DREJTUAR AMBASADËS SË SHBA
Me që po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit djaloshit 14-vjecar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurtë në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar.
Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që më shkaktuar humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllain e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe.
E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish-punonjës policie. Si dhe i frikësohemi edhe mënyrës sesi ka ndodhur në tragjedi të tjera ku autorët i kanë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit.
Zonja Nancy!
Kam besim te ju si nëna e një djalit të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.
Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.
Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi te Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh.
Kam besim te Ju.
Me respekt e dhimbje në Shpirt,
Angel e Florina Cani