Problemet nuk kanë të sosur për Kylian Mbappé, në një periudhë negative që nga momenti kur la Francën dhe u transferua te Real Madrid. Sipas gazetës suedeze Aftonbladet, sulmuesi francez është i përfshirë në një akuzë për përdhunim, për të cilën policia e Stokholmit hapi një hetim javën e kaluar.
“Fake news!!!” ka reaguar lojtari në platformën X, duke përmendur edhe një lidhje mes akuzës dhe seancës së ardhshme gjyqësore që është planifikuar për nesër, përpara një komisioni të Ligës Franceze të Futbollit, lidhur me mosmarrëveshjen financiare që e kundërshton me Paris Saint-Germain, ish-klubin e tij. Mbappé kërkon 55 milionë euro në paga dhe shpërblime të prapambetura nga PSG.
Rindërtimi i ngjarjes
Të enjten në mbrëmje, në Stokholm, Mbappé ishte me një grup njerëzish në restorantin Chez Jolie, dhe më pas u zhvendos në një lokal nate të quajtur V, ku takoi disa persona të tjerë, sipas Aftonbladet. Një fotografi e bërë në këtë klub, një disko, kishte shkaktuar shumë polemika, pasi ndërkohë që ai ishte duke u argëtuar në Stokholm, kombëtarja franceze po luante pikërisht në kryeqytetin suedez kundër Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve.
Mbappé nuk ishte thirrur për ndeshjen për shkak të gjendjes së tij jo të mirë fizike, siç konfirmoi trajneri Didier Deschamps. Sipas gazetës suedeze, përdhunimi dyshohet se ka ndodhur atë mbrëmje “në qendër të Stokholmit”, bazuar në një ankesë që Aftonbladet pretendon se e ka konsultuar: “policia mori ankesën të shtunën, pasi gruaja iu nënshtrua trajtimeve”.
Nuk është bërë publik identiteti i personit të akuzuar ose të dyshuar për përdhunim. Prokuroria suedeze ka konfirmuar që një hetim është në zhvillim për një denoncim përdhunimi në qendër të Stokholmit më 10 tetor. Fotografi të publikuara nga Aftonbladet tregojnë se policia ishte sot përballë hotelit ku Mbappé dhe shoqëruesit e tij qëndruan gjatë vizitës në Stokholm.
“Sot, një tjetër shpifje ka filluar të qarkullojë në internet, duke ardhur nga gazeta suedeze Aftonbladet,” njofton shoqëruesi i lojtarit me një komunikatë. “Bëhet fjalë për akuza plotësisht të rreme dhe të papërgjegjshme, dhe përhapja e tyre është e papranueshme. Për t’i dhënë fund kësaj metodike për shkatërrimin e imazhit të Kylian Mbappé, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të rivendosur të vërtetën dhe për të ndjekur penalisht këdo – person ose media – që është i përfshirë në ngacmimin moral dhe shpifjen që Kylian Mbappé po përjeton vazhdimisht.”