Opozita do të nisë protestat më 6 tetor, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin e Ervin Salianjit me 1 vit burg. Ky ishte vendimi i marrë nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila zgjati për rreth 3 orë.

“Nisje e aksionit në datën 6 tetor, strategjinë e aksionit e ngarkuam në sekretariatin e partisë”, – mësohet të jetë thënë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura. Në mbledhjen urgjente, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka propozoi se duhet të zhvillohen protesta në çdo qark, bllokim aksesh rrugore, të porteve dhe universiteteve.

“Protesta në çdo qark, bllokim aksesh rrugore, të porteve, aeroporteve dhe universiteteve”, – mësohet të ketë thënë Noka.

“Ose të qëndrojmë dhe të justifikojmë besimin e votuesve, ose ne nuk meritojmë të qëndrojmë në këtë karrige dhe të përfaqësojmë demokratët, detyra jonë është të ngrihemi, ky regjim nuk ndalet ndryshe”, tha Noka më parë, gjatë zhvillimit me dyer të hapura të mbledhjes.

“PD me përgjegjshmëri absolute e trajtoi këtë situatë dhe ka vendosur që të përvijojë aksionin e saj. Data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës” – u shpreh Noka.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protesta në mbështetje të Salianjit. “Qëndrimi ynë do jetë një opozitë me të madh dhe të vogël, me të gjithë ata që guxojnë, në protestë, në protestë, në protestë. 

Qëndrimi ynë do jetë përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh, të përballjes dhëmb për dhëmb si objektivi më madhor absolut me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë, me këtë regjim që bën gjithçka që të mos ketë opozitë, me këtë regjim që trajton Shqipërinë si plaçkë personale, si çiflig” – tha Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts