Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nuk ka asnjë rrezik që vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare të dështojë. Në një komunikim me gazetarët, kryekomisioneri Celibashi thotë se ky proces nuk po shkon drejt dështimit, por shton se ka disa problematika që duhet të adresohen.
“Përgjigjja ime është kjo: procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik. Ka zero rrezik, nuk po shkon drejt dështimit. Ky proces sot nuk është në rrezik. Por ka problematika që duhet të adresohen”, tha Celibashi.
Celibashi ka informuar partitë se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30-45 ditë kohë për vajtje-ardhjen e fletës së votimit të emigrantëve. Prandaj ai shtron çështjen e zgjatjes së afatit përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. E nëse kjo nuk realizohet, Celibashi thotë se gjithsesi do të realizojnë votën e emigrantëve, duke thënë se vota mund të vijë edhe me vonesë, një gjë të tillë e parashikon edhe ligji.