Secili nga 5 Prioritetet madhore të Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus, synon në mënyrë të veçantë dhe të drejtpërdrejtë që përfitues të jenë të rinjtë dhe të rejat.
Si politikat për të ndalur shpopullimin, për dyfishimin e pagave, për rritjen e qëndrueshme ekonomike, për zhvillimin e arsimit dhe investimin në kapitalin njerëzor, të bujqësisë dhe ushqimit, të mbështetjes me pagesa direkte dhe masa konkrete për nxitjen e krijimit të familjeve të reja kanë përfitues qendror të rinjtë dhe të rejat, pasi ata janë pjesa më vitale e shoqërisë, që duhet të kenë besimin dhe mundësinë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten e tyre, për familjen, për shoqërinë dhe vendin në Atdheun e tyre me 4 milion shqiptarë plus.
Nga 3.4 fëmijë për grua, në vitin 1980, mesatarja e lindshmërisë në vitin 2023 është rrudhur në vetëm 1.4 fëmijë për grua.
Shqipëria nga vendi i dytë, që ishte në krye të listës të vendeve europiane, sot është në vendin e 177 në botë, nga 200 vende të klasifikimit botëror të Kombeve të Bashkuara.
Ky është një alarm kombëtar dhe një kushtrim për ndryshim urgjent të këtij raporti dramatik, që ka prodhuar axhenda e qëllimshme antikombëtare e Edi Ramës për shpopullimin e vendit.
Partia e Lirisë, ka objektiv të saj madhor Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus.
Kjo do të mundësohet nëpërmjet vënies sa më parë në jetë të 5 Prioriteteve tona të qarta, që mes shumë masave konkrete ekonomike, financiare, sociale dhe kulturore të rimëkëmbjes së kombit, kanë prioritet absolut, fuqizimin e familjes shqiptare dhe veçanërisht mbështetjes me programe të posaçme të nënave të reja dhe të familjeve të reja.
Prioriteti 1 Ndalimi i shpopullimit
Pagat për nënat e reja në masën 70-100% të pagës për 2 vite pas lindjes.
Do të 3-fishohet bonusi i bebes.
Do të krijohet “Shporta e bebes”, me ushqimet bazë dhe artikuj të higjenës, për të cilat të bëhet rimbursimi deri në 10% të TVSH sipas faturave të blerjes.
Nënat me 2 dhe më shumë fëmijë do të diferencohen në taksimin mbi pagën dhe të ardhurat.
Kredi për çiftet e reja 20 mijë euro, ku interesat do t’i paguajë shteti.
Do të mbështeten me grante deri në 20.000 euro, sipërmarrësit e rinj, deri në moshën 25 vjeç, që krijojnë biznese sociale dhe start-up-e.
Ofrim i shtëpive për çiftet e reja, sipas modelit hungarez.
Krijimi i fondit për banesa për çiftet e reja.
Kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje e kredisë me 3,000 euro për fëmijën e parë, 6,000 euro për fëmijën e dytë dhe 10,000 euro për fëmijën e tretë dhe progresivisht.
Mbështetja falas me ushqime, dhe suplementet ushqimore të domosdoshme për gratë shtatzëna në gjendje varfërie e papunësie deri në një vit pas lindjes së fëmijës.
Reduktim i vdekjeve foshnjore dhe nënave në lindje duke përmirësuar kujdesin, për nënën dhe fëmijën.
Garantimi nga shteti i punësimit të grave shtatzëna.
Garantimi nga shteti falas i ushqimeve dhe suplementeve ushqimore, deri në 1 vit për familjet në varfëri dhe të papuna.
Garantimi nga shteti falas i veshjeve dhe aksesorëve pediatrikë për një periudhë 1-vjeçare, për fëmijët e lindur në familje në varfëri dhe të papuna.
Mbulim i plotë falas i të gjithë barnave për nënat dhe fëmijët e porsalindur për një periudhë 1-vjeçare.
Pagesa e kujdestarëve gjatë shtatzënisë.
Sistemi i kateringut në kopshte, çerdhe dhe shkolla.
Rritjen e ndihmës sociale, për fëmijët në familje me prindër të divorcuar.
3-fishimin e çerdheve dhe kopshteve publike.
Garantimin e plotë dhe rritje e sigurisë në çdo çerdhe dhe kopsht publik, me kontroll të dedikuar.
Zgjatjen e orarit të çerdheve dhe kopshteve dhe njëkohësisht shtimi i personelit mbështetës dhe të edukatorëve.
Sigurimi i detyrueshëm i jetës në çerdhe, kopshte dhe ambiente rekreative për çdo fëmijë.
Ulja e TVSH-së për fëmijët deri në 5-vjeç për veshje, ushqime, libra dhe lodra.
Prioriteti 2 Rritja e pagave mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandati qeverises
Dyfishim të pagave për të arritur një nivel pagash mbi mesataren e rajonit.
Prioriteti 3 Investimi në Arsim dhe Kapitalin Njerëzor
Dyfishim i buxhetit për arsimin, kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Niveli i buxhetimit për arsimin dhe inovacionin do të jetë mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.
Investimi në arsim dhe kërkim shkencor do të jetë në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar. Nuk mjafton një maxhorancë e thjeshtë për vendime kaq të rëndësishme që prekin direkt të ardhmen e arsimit dhe rrjedhimisht edhe të vendit.
Mësuesia dhe shkenca duhet të konsiderohen degë prioritare. Si rrjedhojë, ato duhen trajtuar me iniciativa dhe praktika që nxisin motivimin e studentëve. Për shkak të braktisjes së këtyre degëve sot, rrezikojmë që në pak vite të mbetemi pa mësues.
Kuvendi të vendosë nivel dysheme për financimin e inovacionit. Aktualisht, inovacioni në Shqipëri financohet në masën 0.05% e PBB, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 2.2%. Rritja e financimit është hapi i parë konkret në këtë drejtim, ku deri tani ka vepruar vetëm propaganda boshe.
Arsimi Profesional duhet të jetë domosdoshmërisht në varësi të Ministrisë së Arsimit. Lidhur me domosdoshmërinë e reformimit të tij, duhen studime të thelluara tregu mbi kërkesën dhe nevojën që ka sot vendi. Duhen hartuar strategji të reja që harmonizojnë kërkesat e një tregu gjithnjë në zhvillim me profesionistët që përgatisin këto shkolla. Me prioritet duhen parë degët si: elektroauto, mekanik, elektricist, teknik të pajisjeve teknologjike, turizëm dhe shërbime. Aktualisht, shkollat profesionale nuk përgatisin të rinj të aftë për të hyrë pas studimeve direkt në tregun e punës.”
Prioriteti 4 Bujqësia dhe ushqimi. Ulja e kostos së jetesës
Rritje të prodhimit bujqësor, si edhe të agropërpunimit vendas, ulje e kostos së ushqimeve, mbështetja e blegtorisë me pagesa direkte për krerë dhe njësi prodhimi, për të katërfishuar numrin e krerëve dhe prodhimin vendas. Subvencionim i plotë i agropërpunimit. Garantim i sigurisë ushqimore
Përfitues i drejtpërdrejtë është çdo i ri i angazhuar në agro-biznes.
10 mijë euro grant për krijimin e një ferme lopësh dhe përjashtim nga taksat për 5 vite.
Prioriteti 5 Shqipëria, fuqi eksportuese.
Mbështetje e aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese për të arritur mbi nivelin e eksporteve 50 % të PBB, me mbështetje në infrastrukturë (toka, rrjete inxhinjerike, rrugë), çlirim i administratës nga korrupsioni dhe vendosja në shërbim të investimeve dhe biznesit, kualifikim të fuqisë punëtore, përjashtim të mjeteve të prodhimit nga detyrimet fiskale.
Ulja e kostos së energjisë (të karburanteve me mbi 20 %, ulje e çmimit të energjisë elektrike për konsum familjar). Liberalizim dhe subvencionim për energjinë diellore për konsum familjar.
Mbështetje e aktiviteteve të reja prodhuese, si dhe në fushën e IT dhe inovacionit.
Do të mbështesim me 10,000 Euro start-upet dhe tax-free për 5 vite.
Propozimet tona shtesë për arsimin
Partia e Lirisë angazhohet:
Të zgjerojë mbështetjen financiare për studentët e ekselencës.
Të realizojë dhe mbështesë sistemin e praktikantëve pranë kompanive vendase dhe të huaja
Të përmirësojë aftësitë digjitale të të rinjve nëpërmjet përdorimit më të avancuar të IT.
Të përgjysmojë shpenzimet e studentëve duke ulur tarifat e studimit. Të garantojë një paketë që siguron uljen e kostos së jetesës së studentëve ku përfshihen banimi, ushqimi, transporti e mjetet mësimore.
Të përfshijë praktikat e detyruara të punës (internship) në Bachelor dhe Master. Të përshtasë kurikulat e një ose dy viteve të fundit për studentë të veçantë për t’ju përgjigjur nevojave të kompanive (mbi bazë marrëveshjesh qeveri-privat-shkollë).
Të masivizojë programin “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre, me parimin e gërshetimit të aftësimit profesional me marrjen e dijeve teorike duke mundësuar që gjatë vitit shkollor nxënësit edhe të mësojnë, por edhe të zhvillojnë praktika pune të paguara në të njejtën kohë.
Të realizojë prokurim të laboratorëve të biznesit privat dhe infrastrukturën shtetërore për trajnimin praktik të shkollave dhe universiteteve.
Të forcojë kërkimin shkencor dhe inovacionin nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve njerëzore, rinovimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të Legjislacionit. Ngritje e sistemit të kërkimit shkencor dhe inovacionit në nivelin e financimit buxhetor në mesataren e BE-së.
Të përmirësojë cilësisht sistemin e këshillimit të karrierës.
Të kthejë sportin si një aspekt të rëndësishëm të kurrikulës shkollore. Të rrisë vlerën e sportit në kreditet akademike.
Mbështetje për përfshirjen në sistemin arsimor dhe kërkimin shkencor të zhvillimit të koncepteve, metodave dhe teknologjive të reja për t’ju përgjigjur ndikimeve nga ndryshimet klimatike.
Programe intensive për hyrjen e të rinjve në tregun e punës – Garancia për të rinjtë – Programi “Youth Guarantee”
Subvencionim për kompanitë (ku përfshihen sigurimet shoqërore/shëndetësore dhe me qëllim trajnimin për punonjës) për çdo të punësuar deri në moshën 29 vjeçare.
Ngritje e qëndrave të asistimit të sipërmarrësve të rinj me trajnime dhe këshillim për menaxhim, hartim plane biznesi dhe aplikim kredie.
Ngritje e inkubatorëve të biznesit me qëllim nxitjen e start up-eve për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit.
Faleminderit