Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Vlorë – Gjirokastër ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Dibër, Albano Rustemi i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Në kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ai ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër.
“Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për: dekonspirim të aksioneve të policisë; përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve; dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë me mallra të tjera.
Vijon hetimi për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e AMP-së.