Së shpejti do të dalë në Netflix dokumentari “Breaking Down the Wall”, një dokumentar për Angel Di Maria, futbollistin e jashtëzakonshëm argjentinas që aktualisht luan për Benfica, por që gjatë karrierës së tij ka veshur edhe fanellat e Real Madrid, Manchester United, PSG dhe Juventus.

Dokumentari rrëfen jetën dhe karrierën e lojtarit të krahut të majtë nga Rosario, që nga fillimet e tij të përulura deri tek ngritja e tij drejt Kupës së Botës, të cilën e fitoi me kombëtaren e tij në Katar.

Një karrierë e gjatë që tani po i afrohet fundit, ku natyrisht nuk kanë munguar problemet, si dhe edhe armiqtë. Një person në veçanti, të cilin futbollisti gjithmonë e ka treguar si më të keqin nga të gjithë, është Louis Van Gaal, trajneri i tij kur luante në Angli me Manchester United. Karrierat e të dyve u kryqëzuan sërish në Kupën e Botës dhe pikërisht aty Di Maria tha fjalën e fundit…

DI MARIA DHE ARMIKU VAN GAAL

Gjatë karrierës së tij, Di Maria nuk e ka fshehur kurrë marrëdhënien e keqe që ka pasur me Van Gaal. Nuk janë të pakta intervistat ku argjentinasi ka folur për të me tone aspak lavdëruese. Kështu, edhe në këtë dokumentar, armiqësia e tyre del sërish në pah. Lojtari i krahut i Benfica flet për ish-trajnerin e tij ndërsa mban në duar Kupën e Botës: “Louis van Gaal është trajneri më i keq që kam pasur ndonjëherë dhe nuk do të lodhem kurrë duke e thënë këtë,” filloi ai duke përsëritur mendimin e tij.

Më pas, ai kthehet tek ajo që ndodhi kur rrugët e tyre u kryqëzuan sërish në çerekfinalet e Kupës së Botës në Katar, mes Argjentinës dhe Holandës, ndeshje të cilën Selecciòn e fitoi me penallti: “I mundëm me penallti edhe pse ai kishte thënë që nuk do t’ia dilnim, sepse dinte gjithçka. Në fund, ai përfundoi duke i futur fjalët e tij në… mirë, le të themi vetëm që i rimori mbrapsht fjalët e tij, për të qenë të sjellshëm.”

Një hakmarrje e vërtetë për talentin nga Rosario, i cili kësaj here e tha me të vërtetë fjalën e fundit ndaj trajnerit holandez.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts