Kreu i PD-së, Sali Berisha ka vizituar në Spitalin e Traumës deputetin demokrat Agron Gjekmarkaj. Nënkryetari i Parlamentit u rrëzua pa ndjenja gjatë mosbindjes civile të opozitës këtë të hënë.
Lideri i PD-së që akuzoi policinë se e ka shtyrë. Pas kësaj, ai zgjodhi që ta vizitonte në Spitalin e Traumës, aty ku dhe Gjekmarkaj u dërgua me urgjencë.
“E mbaj mend kur u rrëzova. E mbaj mend shumë mirë. Edhe iu drejtova që jam nënkryetari i Parlamentit, jam profesor në universitete. Më përbuzën, më shtynë sikur të isha leckë. Më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë” – tha Gjekmarkaj.
“Gjekmarkaj po merr ndihmën e parë, është vizituar nga mjekët me përgjegjësi, do qëndrojë sonte në vëzhgim dhe shpresojmë që gjendja e tij të mos përkeqësohet natën, por të përmirësohet dhe të largohet nesër nga spitali. Zoti Gjekmarkaj është rrethuar në mënyrën më të pakonceptueshme nga 15 narkokomisarë dhe policë”, – tha Berisha më herët per mediat.
“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë. Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta” – thuhej në njoftimin e policisë.
Pas kontrollit tek Spitali i Traumës, Gjekmarkaj më pas, me urdhër të mjekëve u nis drejt QSUT-së për ndihmë më të specializuar. Policia e shteti i hodhi poshtë këto akuza.