Familja e Mustafa Licit nuk ka pranuar të hapë dyert e mortit për të birin e betur viktimë në atentatin e dy ditëve më parë në Shkodër. Mësohet se familja Lici ka vendosur ta përcjellin vetëm me dhimbjen e tyre të ndjerin Hamza Lici, 23-vjeç.
Ai u vra me breshëri kallashnikovësh që dolën nga një automjet luksoz, i cili më pas u gjet i djegur në lagjen Golem të Grudës. Edhe pse Policia ende nuk e ka publikuar mekanizmin se si ka ndodhur krimi, dyshohet se një tjetër mjet ka qenë në vendngjarje në ndihmë të atentatorëve, mjet që iu ka prerë rrugën dy viktimave që udhëtonin me “Benz”-in me targa kroate.

Asnjë i dyshuar nuk është mbajtur në pranga nga policia e Shkodrës dhe as nga ajo e Shtetit në lidhje me atentatin makabër me armë që ndodhi në Dobraç të Shkodrës pasditen e 30 tetorit.
Ende nuk ka asnjë pistë konkrete ku janë fokusuar hetimet, ndërsa dje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, i cili ka premtuar publikisht se krimi barbar do të zbardhet. Dje, grupi hetimor është rikthyer edhe njëherë në vendin e ngjarjes, ka rimarrë pamje të tjera, ka kërkuar dëshmitarë të tjerë, ndërkohë që përgjatë natës së pasngjarjes janë shoqëruar shumë persona, mes të cilëve anëtar nga fisi i Bajrajve.
Gjatë marrjes në pyetje ata kanë deklaruar se:
Nuk kemi lidhje me ngjarjen”! Policia dhe prokuroria nuk kanë mundur të shkojnë te personat e dyshuar, duke theksuar se atentatorët kanë qenë të maskuar e për pasojë nuk mund të identifikohen me tipare fizike.
Ndërsa pretendohet se armët e gjetura në mjetin e viktimave do të sjellin ndonjë detaj në lidhje me zbulimin të paktën të shkaqeve të ngjarjes, pasi pretendohet se në mjetin e tyre ka qenë një person i tretë. Policia ka shpërndarë për mediat foton e një të riu, që ende nuk dihet nëse ka qenë kalimtar rasti apo në makinën e Hamza Licit e të Arlind Bushatit.
Ajo që u mësua ditën e djeshme ishte fakti tronditës, që familja e Mustafa Licit nuk ka pranuar të hapë dyert e mortit për të birin e vet, por kanë vendosur ta përcjellin vetëm me dhimbjen e tyre. Më i vogli i familjes së tij, vetëm 23 vjeç, u vra me breshëri kallashnikovësh që dolën nga një automjet luksoz, i cili më pas u gjet i djegur në lagjen Golem të Grudës. Edhe pse policia ende nuk e ka publikuar mekanizmin se si ka ndodhur krimi që terrorizoi jo vetëm Shkodrën, bëhet me dije se një tjetër mjet ka qenë në vendngjarje në ndihmë të atentatorëve, mjet që iu ka prerë rrugën djemve që udhëtonin me “Benz”-in me targa kroate, që drejtohej nga 23-vjeçari Hamza Lici.