Fejton nga Thoma Goga

– O portal të qofshim falë! Siteni mirë “miellin“, se po hyjnë krundet. Aty kërkon të rregjistrohet edhe ndonjë “i marrë“ –

Sa mirë që u hap ky portal. Popullor e do ti, cilësor e do ti, të kopsitur e do ti…Thashë dhe unë ta shënoj emrin. Pse, ç’kanë më shumë ca e ca që radhiten e kapërdisen, se do bëhen deputetë? Mirëpo, a merret një opinion në komunitet për këta sojë e sorollop? Apo nisen nga mendimi se, “po i vuri partia, populli do hedhë votën“. Iku ajo kohë. Tani të varin teneqenë…

Nuk kisha ndërmend të shkruaja për këtë temë, por mësova se në vendlindjen time na paska dalë një tip, që tani fryhet si gjel se do bëhet deputet. Në një vend të vogël edhe lepuri hiqet si luan. Po pastaj shkon në “plehrat“ e kohës, më bishtin ndër shalë… Tani ky kodosh kokëboshi i duket vetja si “pasha“. Ka gjetur dhe një “shok“ me emrin “tik-tok“ e shpërndan mesazhe. “Kokëboshi“ kërkon t’u mbushi mendjen njerëzve se është deputeti që (s)duam. Thotë e ç’nuk thotë ky “shuli“, e kuptojnë vetëm shokët e tij “veshëgjatë“.

Në fakt i ka të gjitha “cilësitë“ për t’u bërë. Injorant e do ti, fodull e do ti, “fotozhenik“ e do ti, spiun e do ti…

Po i sqaroj me radhë. Them “injorant“ se shkollën e mesme e mbaroi me të shtyrë, ose me “gjynahllëk“. Diplomën e arsimit të lartë e ka blerë me kaposha deti në një universitet. Po pastaj? Duke qënë kokëbosh pa kulturë, kur doli në jetë tregoi fodullëk. E kanë parë mirë se si “bënte ligjin“, kur ishte në bashki. Është nga ata mostra që thonë: “nuk e rruaj sa të kem “nënën parti“. Sapër “fotozhenik“ nuk ja merr njeri. Shkonte në çdo aktivitet për të dalë fotografi. Madje edhe te fëmijët e kopshteve. I pataksi kalamaqtë. E ndërpriste “fjalimin“, kthehej nga kameraxhiu, sa të bëheshin ca foto. E këto i shpërndante në rrjete sociale si “histori suksesi“. Kurse për “spiunllëkun“ s’ka faj ai. E ka “sëmundje familjare“ dhe trashëgim nga të parët e tij…

Këto “cilësi“ i ka shfaqur gjatë gjithë kohës kur punonte në bashki. Mjerë komuniteti që ushqen me taksat e tij mostra si ai. Po një ditë dikush mori guximin e ja përplasi në fytyrë këto “cilësi“ të ndyra gjatë një mbledhjeje. Kur ja treguan vendin, ky “trimi luan“ u bë si lepur i menderosur. Po të doni, pyesni punëtorët e ujësjellësit. E dinë mirë të gjithë ata që ishin në atë mbledhje, e di edhe partia që e kishte vënë. Po tani që e di, ku e çon “mushka“ partinë e tij, që paraqet modelin më të keq para elektoratit?

Do thoni ju, si e ka emrin? Nuk ja vlen t’i vësh as inicialet. E ç’rëndësi ka?! Nëqoftë se duhet një emër personazhi kot, sa për ilustrim, le ta quajmë Isa. Sepse fara e “shulit“ Isa është shtuar shumë në vendlindjen time, apo në vendlindjen tuaj. Po kthehet në fenomen, në një si “epidemi“. Është “sëmundja“ e injorantëve. Si ky tipi ka kudo. Edhe pa u identifikuar, në qytetin tim, ose në qytetin tuaj, këta mostra i njohin mirë.

Nuk kisha ndërmend t’i shkruaja këto radhë, por më vjen keq që vendlindja ime, apo vendlindja juaj të katandiset në këtë farë derenxheje e të qeveriset nga këto lloj mostrash. Mirë “deputeti që (s’)duam“ aq mend (s)’ka, po partia që e vë, sytë ku i ka? Që këtu u duhet prerë rruga këtyre tipave, se nesër do jetë vonë. E pastaj do t’u këndojmë fabulën e Dritëroit “Gomari dhe kali“…

E pra, sinqerisht kisha ndërmend të rregjistrohesha edhe unë vetë në platformën “deputeti që (s)duam“. Po u tërhoqa, se ky lloj portali vjen era gomarllëk. Kështu që vendosa të rregjistroj “veshëgjatin“ tim. Të gëzojë dhe ky i shkreti, se gjithë jetën mbeti shërbetori im…

O partia e platformës “Deputeti që duam“, siteni mirë “miellin“, se po hyjnë krundet. E pastaj kjo farë e keqe, mbin e nuk shkulet…E populli për këta sojë nuk hedh votën, por të kujton ca vargje :

“O gomar t’u shtua fara,

sa herë shkoj, më del përpara… “.

Mirëpo kështu i humbet “fara“ slloganit: “Vetëm PËRPARA“…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts