Java e 19 e Premier League rikthen buzëqeshjen te Manchester City, që kthehet te fitorja pas një muaji e një serie negative historike. Guardiola e të tijtë rrezikuan shumë me Leicester, por fituan 2-0 me golat e Savinho (20′) e Haaland (73′). Citizens janë në vendin e pestë e kalojnë Bournemouth, që arriti në 2-2 Fulham. Stop tjetër e krizë për Tottenham, ëndërron Nottingham Forest në vendin e dytë me 2-0 ndaj Everton. Broja titullar për herë të parë me Toffies nuk mundi të bëjë dot më shumë.

LEICESTER-MANCHESTER CITY 0-2

Pas një muaji pa fitore, Manchester City më në fund rikthehet te suksesi. Me gola të Savinho (20’) dhe Haaland (73’), skuadra e Pep Guardiolës kaloi me vështirësi Leicesterin, duke shënuar fitoren e dytë që nga nëntori. Pavarësisht golave, mbrojtja e Citizens shpeshherë rrezikoi shumë, me Leicesterin që goditi shtyllën dhe shfaqi disa raste të pastra për gol. Kjo fitore e ngjiti City-n në vendin e pestë me 31 pikë, ndërsa Leicesteri vazhdon të jetë në zonën e rënies, me vetëm 14 pikë dhe katër humbje radhazi.

EVERTON-NOTTINGHAM FOREST 0-2

Nottingham Forest vazhdon sezonin fantastik dhe ngjitet përkohësisht në vendin e dytë pas një fitoreje të pastër 2-0 ndaj Everton. Golat e Wood (16’) dhe Gibbs-White (60’) i dhanë Forest fitoren e pestë radhazi. Braithwaite e Broja provuan të përgjigjeshin për Toffees, por mbrojtja e Forest ishte e kujdesshme me një Morato të jashtëzakonshëm. Nottingham Forest tashmë ka 37 pikë, duke ëndërruar për kreun, ndërsa Evertoni qëndron në vendin e 16-të me 17 pikë, vetëm tre pikë mbi zonën e rënies.

TOTTENHAM-WOLVERHAMPTON 2-2

Tottenham vazhdon krizën, duke dështuar sërish të fitojë. Edhe pse ishte pranë fitores me golat e Bentancur (12’) dhe Johnson (47’), një gabim në mbrojtje i kushtoi barazimin në minutën e 87-të, kur Strand Larsen shënoi për Wolverhamptonin. Kjo humbje pikësh e çon Tottenhamin në vendin e 11-të me 24 pikë, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga zonat evropiane. Wolverhamptoni mbetet i katërti nga fundi me 16 pikë, dy më shumë se Leicesteri

FULHAM-BOURNEMOUTH 2-2

Një ndeshje dramatike dhe me shumë gola mes Fulhamit dhe Bournemouth përfundoi në barazim 2-2. Golat e Jimenez dhe Wilson i dhanë epërsinë Fulhamit dy herë, por Bournemouth arriti të barazojë përmes Evanilson dhe Ouattara. Bournemouth qëndron i gjashti me 30 pikë, ndërsa Fulhami i shtati me 29 pikë.

CRYSTAL PALACE-SOUTHAMPTON 2-1

Southamptoni pëson humbjen e 15-të në 19 javë, duke u përballur me një mision të pamundur për mbijetesë. Pavarësisht golit të hershëm nga Dibling (15’), Crystal Palace përmbysi rezultatin me golat e Chalobah (31’) dhe Eze (52’). Palace largohet nga zona e rënies, duke u ngjitur në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Southamptoni mbetet i fundit me vetëm 6 pikë, 10 larg zonës së mbijetesës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts