Në Kaliforni, një person fitoi 1.2 miliardë dollarë falë një bilete lotarie të “Mega Millions”. Përfaqësuesit e lojës thanë se emri i fituesit nuk do të dihet derisa ai të shkojë të tërheqë çmimin. Bileta fituese u shit në një pikë karburanti në qytetin e Cottonwood, rreth 200 kilometra në veri të Sacramento. Ky është çmimi i pestë më i lartë i dhënë ndonjëherë.
Fituesi me fat arriti të kapte të gjashtë numrat në shortin e së premtes: 3, 7, 37, 49, 55 dhe 6. Çmimi kryesor i “Mega Millions” nuk ishte kapur që nga 10 shtatori. Bileta më e madhe e çmimit të parë të “Mega Millions” prej 1.6 miliardë dollarësh u shit në Florida në gusht të 2023-it.
“Urime fituesit të xhekpotit prej 1.2 miliardë dollarësh nga Kalifornia” – tha drejtori i konsorciumit që organizon llotarinë, Joshua Johnston. “Çfarë dhuratë fantastike këtë sezon, në këtë periudhë të veçantë të vitit, është një moment i jashtëzakonshëm për të dy fituesit dhe për të gjitha organizatat dhe kauzat që marrin fonde nga shitja e biletave” – u shpreh ai.