Eurodeputeti Fredi Beleri tha në emisionin Now në Euronews Albania se e fitoi pozicionin në Parlamentit Evropian falë luftës që kryeministri Edi Rama i shpalli kur kandidonte për bashkinë Himarë.
Beleri u shpreh se meritë për zgjedhjen e tij si eurodeputet kanë edhe gjykatësit e prokurorët që siç tha bënë një çështje që nuk ka asnjë të vërtetë brenda dhe që nga populli grek u vlerësua si përndjekje.
Në burg kam qenë 16 muaj, njeriu kur kalon një problem është si të mos e ketë pasur kurrë, isha në burg, dola, tani jam eurodeputet, s’e kisha ëndërruar as e kisha qëllim. Unë me disa himarjotë të tjerë donim të fitonim bashkinë Himarën që të punonim për vendin tonë.
Sulmi i paprecedentë i kryeministrit, mënyra se si drejtësia u përdor prej tij, arrita që sot të jem eurodeputet. Kanë merita jo vetëm kryeministri, por edhe gjykatësit, prokurorët të cilët nën urdhrat e tij bënë një çështje që nuk ke nga ta kapësh, që nuk ka asnjë të vërtetë brenda dhe këtë padrejtësi kryeministri dhe populli greke kuptoi që kjo përndjekje ishte e padrejtë dhe më dhanë votën për eurodeputet”, – tha Beleri.
Beleri tha se çështjen e zgjedhjeve të 14 majit do ta çojë në Gjykatën e Strasburgut dhe nëse fiton do kandidojë sërish për bashkinë Himarë. Beleri u shpreh se gjëja që do të bëjë dhe di të bëjë më mirë është puna që ka të bëjë me Himarën.
”Siç e kam thënë shumë herë unë betejën time për çështjen e 14 majit do e mbaroj në Strasburg dhe nëse dal i pafajshëm, që besoj se do dal i pafajshëm do kandidoj sërish për bashkinë Himarë. Do jap dorëheqjen nga europarlamentari me gjithë ato privilegje që kam, se unë dua të bëj këtë këtu. Këtë politikë dua të bëj, këtë di të bëj”, – tha Beleri.
Ai ka folur edhe për ligjin e luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, një ligj i cili mbetet në fuqi që në 1940. I pyetur nëse duhet të hiqet ky ligj, Beleri tha se lidhur me këtë çështje ka debate nëse ekziston apo jo ai ligj, pasi në 87 është vendosur që ligji të hiqet. Megjithatë ai shtoi se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.
“Ligji i luftës për mua de facto nuk ekziston. Me vendimin e Këshillit të Ministrave në 87 nuk ekziston. Është një debat i madh ligjor ekziston apo nuk ekziston, nuk e di çfarë pasoje juridike, por për mua është një gjë që do zgjidhet shumë shpejt. Nuk ka të bëjë fare me mashtrimet që thonë disa hiperpatriotë të çamëve që nëse do hiqet ligji i luftës do marrim pasuri. Nuk ka fare të bëjë me këtë”,- tha Beleri. /Euronews Albania