Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani, ka bërë me dije se organi i akuzës që ai drejton ka nisur një sërë çështjesh penale duke marrë indicie nga vendimet e vetingut për shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend.

Kreu i SPAK sqaroi se vendimet e organeve të vetingut kanë shërbyer si indicie, që më pas prokurorët të thellojnë hetimet dhe të regjistrojnë çështjet penale për korrupsion pasiv ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar.

“Do ndalem te ndjekja penale për subjektet që i janë nënshtruar vetingut. SPAK ka pasur edhe raste kur ka aplikuar ligjin antimafia për subjektet të kësaj natyre dhe ka konfiskuar pasuri që u përkasin subjekteve të shkarkuar nga vetingu. Në hetim ka vend për të përmirësuar dhe ne po mësojmë të mos përsërisim të njëjtat gabime. Edhe materialet e përdorura në proceset administrative t’i përdorim në proces penal jo si prova të mirëfillta po si indicie që na shërbejnë për të gjetur provat. Ne nuk kemi qenë të shurdhët dhe të verbër nga vendimet e vetingut edhe për raste kur nuk bëhen pjesë e hetimit tonë për shkak të veprën penale. Kemi regjistruar me iniciativën tonë hetimet penale duke na shërbyer si indicie vetëm përmbajtja e vendimit të vetingut. Janë çështje që i kemi në hetim, por jemi të kujdesshëm dhe përpiqemi që pasona të caktuar në SPAK të bëjnë një filtrim të vendimeve të vetingut me qëllim që në rast se nga vetë përmbajtja krijohen indicie se mund të jemi para veprës së korrupsionit. Ne kemi regjistruar procese penale për korrupsion pasiv për prokurorë e gjyqtarë. Kemi një numër të madh çështjesh penale sa i përket hetimit të tyre”, u shpreh Dumani.

“Secili institucion duhet te përmbushë detyrimet e veta. Thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo akt korruptiv në SPAK. Institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit të jenë në lartësinë e duhur, të furnizojmë SPAK me informacione apo kallëzime”, është shprehur Altin Dumani në një takim të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Nga operacioni i nisur mbrëmjen e shkuar në Elbasan u zbulua se ishin lëshuar masa arresti për dy ish-gjytarët Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu si dhe ishte ushtruar kontroll në banesën e ish-gjyqtarit tjetër Taulant Tafa. Por kush janë 3 ish-magjistratët?

Taulant Tafa

Ish-gjyqtari Taulant Tafa ndodhet në të njëjtën dosje penale të SPAK për përgjimet SKY ECC me ish-gjyqtarët Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu. Tafa pati probleme gjatë procesit të vetting-ut një vit më parë. Ai u shkarkua më 24 Prill 2023 me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK. Teksa e ka apeluar çështjen prej muajit korrik 2023 dhe ende nuk ka vendim të formës së prerë.

Gjatë seancave dëgjimore në shkallën e parë Tafa dha shpjegime për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Tafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit të Elbasanit. Në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin. ILD kërkoi shkarkimin e tij, por KLGJ vendosi masën e pezullimit 3-mujor për subjektin, derisa një vit më pas KPK e shkarkoi.

Zihni Shahu

Zihni Shahu, ish-kryetar i Gjykatës së Elbasanit, dha dorëheqjen rreth 7 muaj pas nisjes së procesit të vettingut, pasi ndaj tij kishte filluar hetimi administrativ dhe kërkoi të përjashtohej për 15 vjet nga e drejta për të punuar në sistemin e drejtësisë.

“Në datën 20.7.2020 subjekti i rivlerësimit, përmes postës elektronike, deklaroi për Komisionin se hiqte dorë nga detyra e magjistratit, moskandidimin në detyrë për një afat prej 15 vitesh, si dhe pas këtij njoftimi do t’i drejtohej organit kompetent, KLGJ-së, sipas ligjit për dorëheqjen”, thuhej në vendimin e publikuar nga Komisioni.

KPK vuri në dukje se pas këtij vendimi u vendos ndërprerja e procesit të vettingut ndaj tij dhe Komisionoi e sanksionoi që t’i ndalohej të ishte pjesë e sistemit për 15 vjet.

Pajtime Fetahu

Pajtime Fetahu doli në operacionin e SPAK “Plumbi i Artë 2” për grupet kriminale, ku u lëshuan mbi 30 udhër arreste. Fetahu dyshohet se mund të ketë lidhje me historitë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas njoftimit të SPAK, punonjësja e Gjykatës u ka dhënë vëllezërve informacione sekret.

Ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut. Ish-gjyqtarja sipas SPAK dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts