Vendimi i fundit i Ministres së Bujqësisë për të emëruar një teknolog ushqimor si Drejtor të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) përbën një shkelje të hapur të VKM-së Nr. 683, datë 2.9.2020. Pika 6 e këtij vendimi, nën seksionin III, specifikon qartë se drejtuesi i këtij autoriteti duhet të ketë arsim të lartë dhe të jetë i diplomuar në mjekësi veterinare, për të garantuar që shëndeti i kafshëve dhe siguria publike të jenë në duart e një eksperti të fushës veterinare.
Ky vendim shkel kriteret profesionale, duke rrezikuar sigurinë ushqimore dhe duke diskriminuar profesionin e mjekut veterinar.
Vendimi për të emëruar një teknolog ushqimor vjen në një kohë kur Ministria e Bujqësisë është përballur me një sërë dështimesh alarmante: programi i vaksinimit të brucelozës është larg objektivit të 100% për vitin 2024; sistemi RUDA ka humbur funksionalitetin, duke lënë kafshët pa identifikim; kontrabanda e kafshëve me brucelozë nga Greqia është në rritje për shkak të mungesës së kontrolleve; pagat dhe kushtet e veterinerëve janë të papërfillshme; dhe kërcënimi nga influenca aviare rrezikon të përhapet duke goditur rëndë ekonominë dhe sektorin veterinar.
Kjo është një situatë skandaloze dhe një precedent i papranueshëm, që tregon për një qasje të qëllimshme nga ana e Ministrisë për të anashkaluar kriteret profesionale dhe për të ndikuar me klientelizëm në pozicione kyçe.
Si mundet një teknolog ushqimor të zgjidhë sfida që kërkojnë ekspertizë të thellë veterinare?
Ky është një rast që duhet të trajtohet nga organet ligjzbatuese dhe nga SPAK për hetimin e shkeljeve ligjore.
Në emër të shëndetit publik dhe sigurisë ushqimore, kërkojmë që ky vendim të rishikohet menjëherë, duke vendosur standarde të qarta për përmbushjen e kritereve ligjore në emërimet e institucioneve kritike si AKVMB. ER


