Në një sfidë emocionuese të luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, Elbasani arriti të mposhtë Bylis me rezultatin 3-1, duke përmbysur avantazhin fillestar të miqve. Ballshiotët mbetën me 10 lojtarë dhe pas kësaj verdheblutë arritën të fitojnë.

Kjo fitore vjen si një shpëtim për ekipin e drejtuar nga trajneri Bordin, i cili më në fund pa skuadrën e tij të rikthehej te sukseset pas tetë ndeshjesh pa fitore në kampionat. Dede nga ana tjetër ka shpërthyer kundër arbitrimit.

Ecuria e ndeshjes

Ndeshja filloi me një ritëm të lartë dhe shpejt u bë e qartë se do të kishte shumë momente dramatike. Bylis kaloi i pari në avantazh në shtesën e pjesës së parë, kur Malomo shënoi pas një aksioni të ndërtuar me kujdes. Ky gol erdhi pikërisht pas një momenti të vështirë për skuadrën mike, pasi kapiteni i tyre, Abazaj, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 31′, duke i lënë ballshiotët me 10 lojtarë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Bylis, por pjesa e dytë tregoi një Elbasan të transformuar, falë superioritetit numerik. Reagimi i vendasve ishte i shpejtë dhe i fuqishëm. Fillimisht, Kasa barazoi rezultatin me një gol spektakolar nga jashtë zone në minutën e 54′, duke ndezur stadiumin me entuziazëm.

Ndërkohë, heroi i vërtetë i ndeshjes rezultoi Lleshi, i cili u fut nga stoli dhe ndryshoi rrjedhën e lojës. Me dy gola të shënuar në minutat 64′ dhe 97′, të dyja si pasojë e gabimeve të mbrojtjes së Bylis, ai vulosi fitoren e rëndësishme për Elbasanin.

Analiza e lojës

Pavarësisht se luanin me një lojtar më pak për më shumë se një orë lojë, Bylis, i drejtuar nga Dede, tregoi karakter, por mungesat në mbrojtje dhe lodhja nga inferioriteti numerik u reflektuan në rezultat. Nga ana tjetër, Elbasani demonstroi qartësi taktike dhe shfrytëzoi maksimalisht dobësitë e kundërshtarit, me lojtarët si Kasa dhe Lleshi që u shfaqën në formë të shkëlqyer.

Situata në renditje

Elbasani, me këtë fitore merr një frymëmarrje të madhe, duke u ngjitur në vendin e pestë me 21 pikë pas 16 javësh kampionat. Ndërkohë, Bylis mbetet në vendin e fundit me 13 pikë, duke e komplikuar edhe më tej situatën për ballshiotët në luftën për mbijetesë.

Deklaratat pas ndeshjes

Trajneri i Elbasanit, Bordin, u shpreh shumë i kënaqur me reagimin e skuadrës së tij në pjesën e dytë: “Siç e thashë dhe para ndeshjes, që sot ishte e rëndësishme që të fitonim. Ishte tepër e vështirë sepse ishim në disavantazh edhe pse ata ishin me 10 lojtarë. Megjithatë i komplimentoj çunat për karakterin që treguan dhe na rikthyen te fitorja që mungonte”.

Nga ana tjetër, trajneri i Bylisit, Dedja, pranoi se kartoni i kuq ndikoi shumë në ecurinë e lojës dhe shpërtheu kundër arbitrit Bastari, që ndikoi në humbjen e të tijve. “Pema vendoset me 6 dhjetor, por babagjyshi kishte ardhur që sot. Ishim ne dhe mënyra si arbitrohet në këtë ndeshje. Në asnjë moment nuk kishim vështirësi, por kishim përballë një ekip me tifozë dhe fushë fantastike dhe emrat e lojtarëve. Ne ishim 10 ata 11, por ne e humbëm ndeshjen. Nuk ishim në vështirësi në asnjë moment. Futbolli është shpikur 11 me 11. Të luash 70 minuta me 10 lojtarë. Pastaj po të futemi në detaje, ne si trajnerë e shohim ndryshe. 5 minuta shtesë ne pjesën e parë, në të dytën 8 dhe në fund shihnim lojtarë në tokë dhe mjekë në fushë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts