Sazan Velçani
Lindi në shkurt të vitit 1964 në qytetin e Patosit. Trajnerët e moshave zbuluan talentin e tij si futbollist që në fëmijëri dhe më pas trajneri Fatmir Dogani e afroi në ekipin e parë të futbollit “Punëtori”. Mbrojtës i majtë, energjik, i përkushtuar, i dashur e i palodhur në stërvitje dhe ndeshje.
Në vitin 1988 kur ishte vetëm 24 vjeç ndërpret eksperiencën e futbollit dhe nis karrierën e arbitrimit me një kontribut të jashtëzakonshëm.
Në vitin 2000 vlerësohet me stemën e FIFA-s si arbitër ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe gjykoi rreth 11ndeshje në Angli, Portugali, Hungari, Maltë, Qipro, San Marino e Luxemburg.
Shkallët e Sazan Velçanit si arbitër ngjiten shumë shpejt: plot autoritet, energjik , i pakompromentueshëm dhe shumë profesional. Për 20 vite arbitroi mbi 250 ndeshje futbolli dhe më pas vazhdoi detyrën e vëzhguesit të Federatës Shqiptare.
Për kontributin e tij në fushën e arbitrimit është vlerësuar me titullin “Mirënjohje” nga Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit në vitin 2009.
Sazan Velçani iku nga kjo jetë para kohe, por do të mbahet mend si modeli i qytetarisë dhe njeriut fisnik.

Mirënjohje përjetë për gjithçka i dha qytetit të tij Patosit!