Fejton: Thoma Goga
Varianti i ri i filmit “Partizani i vogël Velo - Sapo erdhi te kafeja miku im Selim, turfullonte dhe ishte skuqur në fytyrë. Pastaj shpalosi gazetën që mbante në dorë. Në faqen e parë me gërma të mëdha e të kuqe lexohej: “Maskaradë në një organizatë”. Dhe ajo që binte më shumë në sy, ishte monumenti “Nënë Shqipëri” lidhur me vargonj.
- Jo, jo, këtë nuk e duroj. Ç’janë këto “maskarada”?- ulëriu Selimi.- Si ka mundësi që të “pushtohemi” më keq se në kohën e fashizmit?
- Qetësohu Selim vëllai! Ta marrim më shtruar. I ke parë filmat shqiptarë me temën e luftës? E njeh mirë historinë?
- Se e njoh, ndaj ulërij,- ma ktheu Selimi.- Kam respekt për dëshmorët që dhanë jetën, për partizanët që sakrifikuan gjakun dhe familjet e tyre.
- E po në ke respekt, qetësohu e dëgjo. Ç’mendim ke?
- Filmat janë të bukur, po ndonjëherë edhe…Nejse. Unë i shikoj për lojën e aktorëve. E bukur kur thotë ai “mbaje se më shpëtoj”. Ose filmi me Sali Protopapën. “Do më bësh kakërdhi, do më bësh”. Dhe pasi e ther dashin e Bamkës, urdhëron që “të përbrendshmet të bëhen kukurec”. Ose në një film tjetër. Ai që kishte vrarë partizanët në fshatin Defas, thotë: ”Qëllove si kalama, o Mane” dhe pas çlirimit ishte bërë “veteran i nderuar”.
- Ja ku më dole në shteg, – ja ktheva unë.- Prandaj disa filma do xhirohen edhe një herë.
- Ça llafos ti, ‘re?!
- Po, po. Do xhirohen që të jenë sa më realë dhe aktualë. Ja fjala vjen, filmi “Partizani i vogël Velo”. Ngjarjet nuk kanë ndodhur ashtu siç rrëfen filmi. Skenarin e ri e ka shkruar një shoku im. Dje isha në sheshxhirim.
- Ça llafos ti, ‘re?!- u habit miku im Selim.- Po si kanë ndodhur?
- Velua doli malit, sepse plaku i tij e kishte “dënuar” të punonte gjithë jetën bari me dhi. Një ditë Velua shikon një polic, që shkonte më shërbim në burgun e qytetit.
- A më merr dhe mua?!-, i tha.
Dhe polici e mori. Velos i pëlqyen kushtet në burg. Si në kamp. Pallë ariu. - Dua të bëhem dhe unë polic.
- Jo, se je i vogël,- ju përgjigj polici.
- E mirë, – tha Velua.- Deri sa të rritëm, a s’më fut ca kohë në birucë? Këtu rritem dhe dal më i pjekur. Me katë rast u bëj “kakërdhinë” edhe bagëtive…
- Jo, jo,- ja preu polici.- Që të futesh në burg, duhet të bësh një krim. Ja, fjala vjen, të vjedhësh.
Dhe Velos së vogël i pëlqyen “këshillat” e xhaxhi policit. Duke u rritur, u rrit dhe ëndërra e tij. Në fillim vodhi ca pula që të bënte pak burg. - Po pastaj?- pyeti miku im Selim.
- Kur u rrit, e bëri burgun si shtëpinë e tij. Hyr e dil…Kështu “e pasuroi” edhe biografinë. Pastaj u bë “i madhi” i policëve dhe të parin dënoi policin që e bëri polic. Pastaj ja mori dorën hajdutërisë. Vodhi sa u fry nga babëzia…
- Po pastaj?
- Pastaj prapë i vunë byzylyqet. Mbase janë llafe, po burgun e bëri si “trim”. Mos t’ja hamë hakun se, në fund të fundit, burgu për burrat është. Nga burgu doli me gradën “master hajdutërie”. Hyri dhe pushtoi një organizatë shoqërore, që të rregullonte “biografinë”. Anëtarësia nguli këmbë ta hiqnin burgaxhiun që zaptoi organizatën. Po ai mori bravat dhe nxorri koburen. “Qasuni po ua mbajti!” i tha anëtarësisë. Zaptoi zyra, vulën dhe financat. Këtu ishte lëmi madh. Vetë vali, vetë kadi. Filloi “zanatin” e parë; hajdut zytar. Bënte “turizëm patriotik” me dreka ditëlindjesh. Mishi mullar, të them; pula të pjekura “fluturojnë” nëpër pjata…
- Ça llafos ti ‘re?! Po kështu janë sjellë ballistët dhe fashistët. Me një fjalë, Velua nga burgu, kumandar. Po pastaj?
- Thonë se do i vënë prapë byzylyqet. Ja kështu, po xhirohet varianti i ri i filmit “Partizani i vogël Velo”.
- Po pastaj?
- Pastaj do shkojmë në kinema ta shohim bashkë filmin.
- Po ky Velua i ri, do bëj më kakërdhi?!…- hodhi një shashkë me spec miku im Selim.
- Nashti, të presim kur të dalë filmi me variantin e ri…
Eh, kështu ndodh me ca mostra që hiqen patriotë të pulave dhe pilafit. U mungon vetëm qylafi…