Trump, mund të mos jetë më një përjashtim, por “norma e re,” shprehja e asaj që është sot Amerika
Çfarë nënkupton zgjedhja triumfale e Donald Trump, fillimisht për Amerikën dhe pastaj për botën?
Është ende shumë herët për të kuptuar plotësisht të gjitha përmasat e kësaj ngjarjeje. Në këtë fazë, mund të ngrihen vetëm pyetje dhe të sugjerohen hipoteza.
Zgjedhja e Trump në vitin 2016 ishte një surprizë totale, madje edhe për vetë kandidatin fitues. Pas fitores ai u detyrua të mbështetej me shpejtësi tek persona që nuk i njihte për të ndërtuar një ekip. Trump ishte vetë një “enigmë, e mbështjellë nga një mister,” siç do të kishte thënë Churchill-i.
Në vitin 2021, pas humbjes ndaj Biden dhe refuzimit për ta pranuar atë, Trump u duk thjeshtë si një parantezë –vërtetë shqetësuese, por që kaloi pa shumë dëme. A nuk kishte garantuar kthimin në normalitet zgjedhja e Joe Biden?
Në vitin 2024, pas triumfit të një Partie Republikane të kontrolluar plotësisht nga Donald Trump, duhen ngritur pyetje shumë më serioze. Pavarësisht – ose ndoshta për shkak të – teprimeve të tij, Trump fitoi votën popullore. Në fushatën e tij ai foli për bombardimin e Meksikës, premtoi deportimin e miliona emigrantëve të paligjshëm dhe përshkroi drejtuesit e opozitës si “armiq të brendshëm,” më të rrezikshëm se Kina ose Rusia.
Koha e brutalitetit
Shumica e amerikanëve nuk u ofenduan nga këto deklarata. Ndodhi krejt e kundërta. Prandaj, ndoshta, problemi duhet shtruar nëse Trump, mund të mos jetë më një përjashtim, por “norma e re,” shprehja e asaj që është sot Amerika. Prej këtej rrjedh një pyetje destabilizuese: a mund të mbijetojë demokracia pa Amerikën, dmth, pa një Amerikë demokratike? Mos vallë Evropa është shumë e përçarë për të marrë vetë në dorë të ardhmen e saj? Po aziatikët perendimorë, a munden të kapërcejë plagët e së kaluarës për të përballuar të vetëm të tashmen?
Po regjimet autoritare dhe populise, a nuk do ta shohin triumfin e Donald Trump-it njësoj si buçimën e burisë në filmat uestern, që i fton kalorësit të nxitojnë drejt qëllimit të tyre?
A është ky konfirmimi se historia po lëviz në kahun që dëshërojnë ata?
Kjo sfidë ndaj modelit demokratik brenda SHBA-së, me përbuzjen për shtetin e së drejtës dhe rreziqet e konflikteve të interesit në administratën e re Trump, shoqërohet me një pikpyetje themelore ndaj rolit të veçantë të Amerikës në arenën ndërkombëtare. Për mirë apo për keq, Amerika, me internacionalizmin e saj, e shihte veten si bartëse të një misioni.
Ky mision mund të shfaqej përmes institucioneve të sigurisë, si NATO, ose përmes mesazheve si ato të Hollywood-it: “Nëse mund ta ëndërroni, ju mund ta realizoni.” Por me Donald Trump, diplomacia amerikane po bëhet thjesht transaksionale, me të njëjtin mesazh për të gjithë – aleatë ose kundërshtarë: “Dëshironi mbrojtje për çështjet e sigurisë? Paguani. Dëshironi që të shmanget rritja e tarifave doganore? Ulni drastikisht tuajat.”
Nga bujaria e djeshme te brutaliteti i sotëm
Bujaria e ndriçuar e së kaluarës (e cila shpesh maskonte kalkulime jo dhe aq fisnike) po i lë vend një brutaliteti të pashtershëm. Dhe në këtë drejtim, aleatët evropianë dhe aziatikë të Amerikës po gjenden në të njëjtën varkë. Ata do të trajtohen me të njëjtën ashpërsi dhe cinizëm si Kina, Rusia, Irani apo Koreja e Veriut.
Shprehja e famshme e tre musketierëve, “Një për të gjithë, të gjithë për një” tashmë i ka lënë vendin devizës që gjendet në mendjen e Trump-it: “asgjë për ju dhe gjithçka për mua”. Amerika e tij pritet të jetë më tepër unilaterale, sesa izolacioniste. Trump e di që bota është bërë globale, por ai refuzon “globalistët,” të gjithë ata që, të vetëdijshëm për sfidat e planetit, e konsiderojnë veten, nga domosdoshmëria, si qytetarë të botës.
Për autorin e këtyre rreshtave, data 5 nëntor 2024 do të mbetet në librat e historisë, jo vetëm si një hap i madh prapa për demokracinë, por si një etapë vendimtare në kalimin e stafetës të historisë, nga Perëndimi (fillimisht evropian, më pas amerikan) drejt Lindjes aziatike.
Trump nuk përbën zgjimin e Amerikës. Ai rrezikon të jetë gozhda e fundit në arkivolin e demokracisë liberale klasike.
Drejt radikalitetit
Megjithatë, edhe në vetë Shtetet e Bashkuara, pavarësisht emërimeve të para në administratë, të cilat konfirmojnë “radikalitetin” e presidentit të zgjedhur, qetësia duket se i zuri shpejt vendin entuziazmit të disave dhe tronditjes së të tjerëve.
Një mik që ka dhënë me mua mësim në Harvard më shfaqi disa ditë më parë dilemën e tij: “Me rizgjedhjen e Trump, nuk kam qenë kurrë më i dëshpëruar politikisht. Por, pas rritjes së tregut të aksioneve, ndoshta nuk kam qenë kurrë kaq i pasur.”
Ndjenja e varfërimit dhe pasigurisë te shtresat më të dobëta ka sjellë si pasojë të menjëhershme pasurimin, jo vetëm të më të pasurve, por edhe të një klase të mesme të lartë, që përfiton nga një sistem pensionesh i lidhur ngushtë me bursën.
Duke luajtur me kartën e një vazhdimësie qetësuese kundrejt frikës nga e paparashikueshmja, Kamala Harris harroi më thelbësoren. Shumica e amerikanëve dëshironin ndryshimin dhe një pushtet të fortë, në duart e një komandanti të përgjithshëm, dhe jo fjalimet qetësuese dhe tonin e hareshëm të një gruaje, suksesi personal i së cilës kontrastonte dukshëm me ndjenjën e padrejtësisë, pasigurisë dhe dështimit që provonte shumica e votuesve.
Ajo nuk arriti as të mobilizonte të rinjtë, as të siguronte mbështetjen e plotë të grave, të cilat nuk luftonin vetëm për kontrollin mbi trupat e tyre, por edhe për kontrollin mbi koston e jetesës së përditshme.
Pasoja afatshkurtra dhe të rrezikshme
Problemi është se në vitin 2024, përparësia që po ju jepet, njësoj si në vitin 1992, shqetësimeve ekonomike afatshkurtra – “Është ekonomia, budalla” – mund të sjellë pasoja politike dhe gjeopolitike shumë më të rënda.
Problemet sociale, në vend që të bashkonin liberalëve pas “blu”-ve demokratë, mobilizuan të “kuq”-të republikanë, të cilët nuk mund të kuptonin sesi mund të vihej theksi te çështjet e gjinisë, ndërkohë që për ata ekzistonin prioritete të tjera, më të qarta dhe më natyrore.
Por duhet thënë se nuk ishte “Wokismi” përgjegjës për humbjen e Kamala Harris-it. As lufta e Gazës apo ndonjë çështje tjetër e politikës së jashtme.
A mos vallë është thjesht – dhe kjo do të qe edhe më shqetësuese – ajo që njihet si “Zeitgeist-i” (fryma e kohës) e cila solli Trump-in sërish në Shtëpinë e Bardhë?
Dominique Moïsi është gjeopolitolog, lektor në universitetin e Harvardit, autor i librit të përkthyer në Shqip “Gjeopolitika e emocioneve”. Përktheu T. Çela/Lapsi.al