Laboratori i kòkaìněs, zbardhen rolet e të arrestuarve, ja kush është pronari i shtëpisë “laborator”

Grupi kriminal i laboratorëve të përpunimit dhe trafikimit të drogës, kishte hierarkinë e saj. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se rolet kryesore, luheshin nga Geis Fejsullai në banesën e të cilit u zbulua në Tiranë edhe një prej pikave të përpunimit të kokainës që më pas nxirrej në treg.
Vijonte me Klajdi Birçen, Artion Çaushllari, një personazh që ka ushtruar edhe funksione publike dhe Endi Sejdinin. Emrat e mësipërm janë organizator dhe financues të aktivitetit kriminal dyshon SPAK. Pjesa tjetër e grupit prej 10 personash, si shtetasit Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj e Baki Huqi, kishin role dytësore në shërbim të aktivitetit kriminal, sikurse 2 shtetas venezuelian e 1 kolumbian, të sjellë në Shqipëri si ekspertë të përpunimit të drogës.
SPAK ka provuar dy raste të ngarkesave dhe itinerarin që kanë ndjekur, të cilat vinin të fshehura në lëkurat e gjedheve përmes rrugëve detare me anije. Ngarkesat njëra prej të cilave ka mbërritur në Shtator dhe tjetra në Nëntor të këtij viti, niseshin nga Amerika Latine dhe kanë bërë transit në portet italiane për të mbërritur në brigjet shqiptare.
Burime pranë grupit hetues, konfirmojnë se kanë qenë në dijeni të këtyre lëvizjeve, por janë koordinuar me partnerët e huaj që të mos ndaloheshin për të gjurmuar, destinacionin dhe personat që merreshin me këtë aktivitet.
Në Shqipëri u zbulua se në 3 qendra të ndryshme, kryesisht në banesa dhe në zona të sigurta, ku shmangej edhe kontrolli, si ajo e Qerekës pranë Rinasit, përmes përzierjeve kimike rritej sasia e lëndës narkotike që do të kishte destinacion tregjet europiane.
Prokuroria e Posaçme po punon me agjenci partnere të zbatimit të ligjit, për subjekte të tjera që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet, dhe kryesisht me shtetas shqiptar që kanë luajtur rol domethënës për të siguruar kokainën në Amerikën Latine apo kanë koordinuar veprimet atje.
10 personat e arrestuar dalin për masë në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, të hënën e 18 nëntorit në orën 09:30.
Operacioni i drejtuar nga SPAK u shtri edhe në zonën e njohur si Kodra e Diellit2, ku u zbulua një tjetër bazë, ndërsa u arrestuan 10 persona, 3 prej të cilëve, shtetas të huaj, që dukej se kishin rolin e “kimistëve” për ndarjen e kokainës nga lëkurët e bagëtive.
Po kush është pronari i banesës ku ishte vendosur laboratori i kokainës në Qerakë?
Pronar i ndërtesës është shtetasi Endi Sejdini, 25 vjeç. Në një nga katet e ndërtesës së tij ishte vendosur edhe laboratori i kokainës, atje ku ndodhte i gjithë procesi i përpunimit.
Sejdini kishte një mobileri në zonë dhe nuk rezulton person me rekorde kriminale.Endi Sejdini është një nga 10 personat e arrestuar nga SPAK.