Të shtëna armësh janë raportuar para pak çastesh në afërsi të qendrës së Tiranës. Një person është qëlluar me armë zjarri në “Rrugën e Elbasanit”. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak minuta më parë.
Mediat raportojnë se një person i identifikuar si Eduart Reçi, 52 vjeç, nga Dibra, ka marrë një plumb në kokë dhe për pasojë ka mbetur i plagosur. Ai është qëlluar pranë një lokali, në afërsi të banesës së tij.
I plagosuri është dërguar te Spitali i Traumës, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ende nuk dihet.
Policia e Tiranës ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet ku një person është plagosur me armë zjarri në afërsi të Fakultetit Ekonomik pranë Rrugës së Elbasanit.
“Rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica” është plagosur me armë zjarri shtetasi Eduart Reçi, 52 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar. Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim” – thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Policia është duke këqyrur vendin e ngjarjes si dhe kamerat e sigurisë në zonë.