Vitet e fundit, gjigantët evropianë të prodhimit të orëve janë përfshirë në një betejë të nxehtë për të dizajnuar orën mekanike më të hollë në botë. Markat luksoze Bulgari, Piaget dhe Richard Mille kanë mbajtur që nga viti 2018, rekordin e lakmuar, i cili më në fund u thye në prill nga ora “Octo Finissimo Ultra Mark II” e krijuar nga Bulgari me trashësi 1.7 milimetra. Por tashmë, një orëpunues dhe shpikës i pavarur rus mund t’i mposhtë të gjithë.
Konstantin Chaykin me banim në Moskë thotë se prototipi i tij i ri “ThinKing”, me të cilin ai debutoi në panairin e Gjenevës në Zvicër në muajin gusht është vetëm 1.65 milimetra e trashë. Ai thotë se ajo është ndër orët më të lehta në botë, me peshë vetëm 13.3 gram pa rripin e saj.

Në një e-mail për CNN, Chaykin tha se ai ka sjellë risi të ndryshme për ta bërë dizajnin e orës më të hollë “pa cenuar funksionalitetin e saj”, duke përfshirë një mekanizëm që është i integruar në të. Chaykin tha se ai ka paraqitur disa aplikime për marrjen e patentës megjithëse asnjë nuk i është dhënë ende.
Ora është bërë duke përdorur çelik inox dhe karabit tungsteni, një përbërje e lehtë, por jashtëzakonisht e ngurtë. Chaykin tha se po konsideron gjithashtu përdorimin e safirëve ose diamantëve në versionet e ardhshme të orës së tij. Me akrepat e orës dhe të minutave të ndarë nga njëri-tjetri, dizajni i ngjan një fytyre, një shenjë dalluese e koleksionit të firmës Wristmons të orëbërësit.

Prodhimi i orëve ultra të holla që janë të besueshme, të sakta dhe mjaft të qëndrueshme për t’u mbajtur është kthyer në një sfidë të madhe teknike për prodhuesit e orëve në botë. Gara për të dizajnuar orë gjithnjë e më të holla duket se është përshpejtuar vitet e fundit.
Marka zvicerane Piaget debutoi konceptin e saj “Altiplano Ultimate” me 2 milimetra të trashë. Më pas, gjigandi luksoz Bulgari mori kurorën me përsëritjen e parë të “Octo Finissimo Ultra”, e cila erdhi me vetëm 1.8 milimetra. Bulgari më pas rifitoi titullin me “Octo Finissimo Ultra Mark II”, një model me prodhim të kufizuar që u raportua gjerësisht se kushtonte mbi 500,000 dollarë.

Sidoqoftë, nëse “ThinKing” i Chaykin tashmë mund të konsiderohet mbajtësi i rekordit, megjithatë kjo mund të kthehet në debat në qarqet e horologjisë. Guinness World Records nuk liston aktualisht një rekord në mënyrë të pavarur për orën më të hollë. “ThinKing” është aktualisht vetëm një prototip dhe funksionaliteti dhe saktësia e tij ende nuk janë vlerësuar në mënyrë të pavarur.