Vera 2024 ka mbaruar dhe është koha për të ndryshuar orën. Pra, akrepat do të kthehen 1 orë pas, në 3 të mëngjesit midis së shtunës 26 dhe të dielës 27 tetor, duke i ripozicionuar në orën 2. Kështu do të rikuperojmë orën e gjumit që humbëm në fund të marsit të kaluar, por pasditet tona do të shijojnë 60 minuta më pak dritën e ditës. Siç dihet gjithçka duhet të kryehet manualisht vetëm në pajisjet analoge, sepse ato dixhitale të lidhura me internet do të riorganizohen automatikisht me kohën e re. Ora diellore do të qëndrojë në fuqi deri të dielën më 31 mars 2025, kur ora verore do të hyjë sërish në fuqi në orën 3 të mëngjesit.
Pavarësisht polemikave që kanë shoqëruar ndryshimin sezonal të orës prej disa vitesh, për momentin nuk ka asnjë lajm për ata që shpresojnë prej kohësh ta shfuqizojnë ose ta ruajnë njëlloj orën gjatë gjithë vitit. Për momentin, iniciativa e vendeve evropiane që duan të heqin orën verore nuk është ndjekur nga ndonjë vend. Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian duhet të bien dakord për një sistem të vetëm të vlefshëm për të gjithë, por për momentin kjo zgjidhje nuk është ende në horizont dhe për këtë arsye gjithçka mbetet ashtu siç është.
Arsyeja pse disa do të donin shfuqizimin e ndryshimit të orës është shqetësimi që shkakton ndryshimi i “zonës kohore”. Ndër efektet anësore që regjistrohen më shpesh kur ndryshon ora, janë mbi të gjitha vështirësia për të fjetur në mbrëmje, zgjimet gjatë natës dhe përgjumja gjatë ditës, lodhja, vështirësia për t’u mësuar me ritmet e reja, nervozizmi dhe stresi, ndryshimet në përqendrim dhe në humor. Edhe nëse kemi një orë më shumë dritë kur zgjohemi në mëngjes, shkurtimi i papritur i pasditeve të vjeshtës ndikon në humorin dhe mirëqenien jo vetëm të subjekteve të ndjeshme, por të të gjithëve.
Të gjithë mjekët thonë se shqetësimet e vogla që lidhen me ndryshimin e orës nuk janë patologji dhe për këtë arsye nuk kërkojnë përdorimin e barnave. Më së shumti, mund të trajtoni veten me ndonjë çaj bimor relaksues para se të flini ose gjatë pasdites, për të lehtësuar pushimin e natës.
Disa nga këshillat për të eliminuar bezdisjen e ndryshimit të orës
– Puno paraprakisht. Filloni disa ditë më parë të “stërviteni” për ndryshimin e orës, duke shtyrë çdo ditë orën e vakteve dhe pushimit me një çerek ore, në mënyrë që të përshtateni shpejt me kohën e re.
– Qëndroni sa më shumë në natyrë. Përpiquni të ekspozoheni sa më shumë në dritën e ditës gjatë gjithë fundjavës, pasi është pikërisht drita ajo që rregullon orën tonë biologjike.
– Jo dremitje. Është më mirë të shmangni dremitjet e pasdites, të paktën derisa të mësoheni me kohën e re.
– Ndriçim i mirë në shtëpi. Përpiquni të përmirësoni ndriçimin e ambienteve shtëpiake, duke hapur grila dhe perde gjatë ditës dhe duke përdorur dritat artificiale. Nëse ndiheni shumë të trishtuar dhe të dëshpëruar, vlerësoni mundësinë e pajisjes me llamba të posaçme që përdoren për të ashtuquajturën terapi me dritë, të afta për të prodhuar frekuenca të veçanta drite që nuk të shqetësojnë shikimin, por që janë në gjendje të nxisin ribalancimin biokimik të brendshëm të orës sonë.
– Bëhuni më aktiv – Për të ndihmuar në përmirësimin e humorit, gjeni pak hapësirë gjatë ditës për t’iu përkushtuar një aktiviteti të këndshëm dhe shpërblyes që mund të japë kënaqësi dhe t’u largojë nga melankolia e vjeshtës.
– Sporti dhe ushqimi – Një dietë e shëndetshme dhe e larmishme mund t’u ndihmojë të kemi më shumë energji, ndërsa pak aktivitet fizik do t’u furnizojë me endorfinë, hormonet e humorit të mirë.