Nga Thoma Goga – Janë ditët e para të vitit të ri shkollor. Nxënësit akoma përjetojnë emocionet dhe kënaqësinë që u dhuruan pushimet verore. Dhe në bisedat e lira ata shkëmbejnë përvojat që fituan secili nga këto pushime.
Edhe personazhi ynë Albani i ka të freskëta kujtimet nga pushimet. Në këto ditë të para, si me porosi edhe mësuesja e letërsisë u dha si detyrë të përshkruanin mbresat dhe kujtimet nga këto pushime. Aq donte Albani. Gjithë frymëzim e derdhi talentin e tij në këtë hartim:
…”Sapo mbaroi shkolla, mezi i prita pushimet e këtij bëhari të nxehtë. Shkova në fshat te halla Esma. Kushedi sa herë më merrte në telefon, që unë të shkoja sa më shpejt. Kjo është halla më e mirë në botë. Po ta njihni edhe ju, do bindeni se unë nuk shkruaj kot. Nuk do ta harroj sidomos ditën e parë të pushimeve. M’u desh të udhëtoja në mes të vapës dhe goja më ishte tharë për ujë. Më në fund mbrrita. Halla kishte dalë të porta dhe më priti me krahë hapur. I shkëlqente fytyra nga gëzimi. Si më puthi në të dyja faqet, halla më uli në ballkon. Më pyeti për shëndetin, për mamin e babin. Më pyeti se si kisha dalë me mësimet. U gëzua edhe më shumë kur i tregova deftesën e notave. Më puthi edhe një herë në të dyja faqet. Pastaj fjala shkoi te ushqimet. Ishte kohë dreke dhe papritur qielli u mbush me re. Kështu ndodh shpesh në verë. Hallën e mbuloi një hije trishtimi.
- T’u bëftë halla, qielli u nxi. Kam merak si do kthehesh në shtëpi. Sikur të të bëj halla pak bukë, ti do kesh ngrënë besoj.
- Ëhë,- thashë unë që s’kisha pirë as ujë.
- Sikur të japi halla nja dy kokrra vezë, ato të thyhen rrugës e të bëjnë helaq.
- Ëhë,- ja bëra unë.
- Apo të japë ca arra. Edhe ato të shqyejnë xhepat dhe ja bëjnë rrëk-rrëk. Ç’i do, sa për bela…
- Ëhë,- thashë prapë unë.
- Dëgjo hallën, ktheu në shtëpi pa filluar shiu, se do të bëjë xurxull. Mos të zëntë shiu i verës as dy hapa larg derës, thotë një fjalë e urtë. Kështu është shiu i beharit, si vrapi gomarit.
- Mirë hallë, po nisem pa vonesë.
- Hajd të puth halla në dy faqet dhe nxito. Po shiko, mos kalo nga fiku se është qeni zgjidhur…”.
Kjo që thoni ju, ishte vetëm një ditë nga pushimet e mia te halla. Nuk kam të drejtë të shajë të gjitha hallat. Po halla ime është shtriga më të mirë në këtë botë. Kur ta njihni edhe ju, do bindeni, se unë nuk shkruaj kot. Më puthi mirë e mirë në të dyja faqet, po një gotë ujë nuk më dha kur goja më ishte tharë. Mirë këtë, po nuk më la të ha asnjë kokërr fik. Dhe unë hartimit këtu po i vë pikë…”.