Presidenti i Urdhërit të Mjekut Veterinar Ervin Resuli ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social facebook një reagim të hapur ku pohonë se politikanë shqiptarë kanë përdorur kundër tij një gjuhë denigruese e ofenduese sepse sipas tij është në mbrojtje të konsumatorit shqiptar duke bërë publike rastet e zbuluara nga institucione ndërkombëtare për prodhime shqiptare eksporti të cilat janë kthyer nga vende të BE pasi nuk plotësojnë standartet e konsumit
Ja dhe postimi i tij
I detyruar të reagoj ndaj qëndrimeve joetike të një të zgjedhuri nga vota e popullit, i cili është në detyrë për t’i shërbyer interesave të qytetarëve që e kanë votuar, ndjej të nevojshme të rikthehem te baza ime profesionale dhe shkencore.
Gjithë veprimtaria ime publike dhe jo publike është ndërtuar mbi aftësitë profesionale, njohuritë shkencore dhe raportimet konkrete në sistemin europian të alarmit për ushqimet dhe ushqimin e kafshëve (RASFF). Jam udhëhequr gjithmonë nga parimet e mbrojtjes së shëndetit publik dhe mirëqenies së qytetarëve, pa ndonjë prapavijë të errët apo interes të fshehur. Çdo qëndrim i imi është bërë mbi bazën e fakteve dhe provave shkencore, duke pasur si prioritet të vetëm mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe të fëmijëve tanë.
Është për të ardhur keq që z. Brace, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ka zgjedhur të ndërhyjë me gjuhë ofenduese ndaj një qëndrimi profesional që lidhej me prani të klorpirifosit në mandarina. Në vend që të kontribuonte në debat me të dhëna dhe argumente, ai ka zgjedhur rrugën e sulmeve personale, duke tentuar të më tërheqë në një debat të ulët politik.


Dua të jem i qartë: nuk kam aspak ndërmend të merrem me llumin e politikës ku z. Brace pretendon të jetë profesionist. Për mua, e vetmja gjë e rëndësishme mbetet shëndeti i konsumatorëve shqiptarë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Çështja e klorpirifosit nuk është një spekulim, por një shqetësim real, i ngritur mbi baza shkencore dhe të raportuar edhe në sistemin ndërkombëtar RASFF. Kjo është një temë që kërkon trajtim profesional, dhe jo përdorim politik për qëllime personale apo mediatike.

I bëj thirrje z. Brace dhe kujtdo tjetër që ka përgjegjësi publike, të fokusohet në përmirësimin e mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, në vend që të sulmojë profesionistët që përpiqen të bëjnë punën e tyre me përgjegjësi dhe përkushtim.
Gjithçka që kërkoj është një debat i hapur dhe transparent mbi çështjet e sigurisë ushqimore, i bazuar në fakte dhe të dhëna, jo në retorikë dhe sulme personale. Shëndeti i qytetarëve shqiptarë është më i rëndësishëm se çdo interes i ngushtë politik.