Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) njoftoi mbrëmjen e kësaj të hëne se ka zbatuar urdhrat e ndalimit të caktuar nga Prokuroria e Gjirokastrës nga kryekomisar Alfred Kondi me detyrë Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në Policinë e Gjirokastrës, nënkomisar Xhevit Dine, me detyrë Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, ndërsa u shpall në kërkim inspektor Feim Onjea, me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në forcën e posaçme Shqiponja. Këta janë të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.
Në pranga është vënë edhe Bledar Mustafaraj, me detyrë doganier, niveli C2 në degën doganore Kakavijë, i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, Ilir Muho, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim dhe Leodor Kazo, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.
“Nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojërave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare.
Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që ju jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celularë” – thuhet në njoftimin e AMP.