Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se fatura e energjisë në tunelin e Llogorasë në një muaj është 200 mijë euro, ose 2.4 milionë euro në vit.
Gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2025, Balluku bëri të ditur se ky tunel do të rihapet në fillim të sezonit veror dhe do të jetë me pagesë.
Sipas saj, kjo, pasi ka një kosto të lartë mirëmbajtjeje.
“Për tunelin e Llogorasë që në momentin e ideimit është deklaruar se do të jetë me pagesë. Për këtë vepër ka rrugë alternative që është përmes Parkut Kombëtar të Llogorasë, për të gjithë ata që nuk do të duan të paguajnë. Në nisje të sezonit të ri, kur të hapet tuneli, në të cilin po përfundojnë detajet e fundit do të rihapet me pagesë. Në të ardhmen mund të ndërtojmë segmente jo me koncesion, por nga ARRSH që mund të jenë pagesë, por gjithmonë kur të ketë edhe rrugë alternative. Vetëm energjia elektrike e përdorur gjatë muajve që kemi pasur hapur tunelin kosto e energjisë elektrike ishte 200 mijë euro”, deklaroi Balluku.
Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejte në turizmin dhe ekonominë e vendit u hap provizorisht në fillim të muajit korrik.
Me një gjatësi prej 6 kilometrash, kjo vepër infrastrukturore shkurton kohën e udhëtimit Dukat – Palasë që bëhej për rreth 30 minuta, në 7 minuta.